Tiranë- Me rastin e 400-vjetorit të themelimit të qytetit të Tiranës, u çel një ekspozitë me peisazhe të ndryshme të kryeqytetit ndër vite, nga piktori i mirënjohur, Ilir Cakalli. I pranishëm në çeljen e ekspozitës kryebashkiaku, Lulzim Basha ndërsa vlerësoi kontributin e autoktonëve tha se Tirana e ka tashmë një historik të sajin.
"Duan apo nuk duan ata që kanë sindromën e "vitit zero", tiranasit autoktonë, den baba den apo të ardhur, e dinë që ky qytet ka një histori dhe kjo është një pjesë e përpjekjes për të treguar historinë e qytetit të Tiranës dhe për të vlerësuar kontributet e të gjithë atyre, në radhë të parë të familjeve autoktone, të atyre që në dekada dhe shekuj s'e ndërruan shpirtin tolerant, gjithëpërfshirës, shpirtin e lartë qytetar të Tiranës, që ishte kaq i gjerë dhe kaq i madh, saqë bëri të mundur të shtresëzoheshin në të përfaqësuesit e çdo treve të Shqipërisë, për ta quajtur sot Kryeqytetin e shqiptarëve. Dhe duke përgëzuar organizatorët e kësaj ekspozite, duke falënderuar për bashkëpunimin vetë autorin, Shoqatën Tirana, kryetarin z. Tafaj, komunitetin e artistëve, i ftoj të gjithë artdashësit dhe Tiranë-dashësit ta vizitojnë këtë ekspozitë dhe të bëhen pjesë e kundrimit dhe shijimit të aktiviteteve të shumta kulturore që Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Shoqatën Tirana dhe komunitetin artistik po organizon me rastin e "400- vjetorit të qytetit të Tiranës" deklaroi kryebashkiaku Basha.
Ndërsa piktori , Ilir Cakalli tha se nëpërmjet kësaj ekspozite jam munduar të rikthej në memorien e kryeqytetasve, Tiranën e dikurshme.
"Në radhë të parë do të falënderoj Bashkinë e Tiranës që më dha këtë mundësi dhe qendrën kulturore TEN, që të ekspozoja këtu një pjesë të veprave të mia kushtuar Tiranës së vjetër, Tiranës së bukur, Tiranës kryeqytetit tonë të dashur që e kemi të gjithë shpirtin dhe mendjen tek ky qytet i madh. Në këtë ekspozitë kam shprehur si të thuash skorce antike dhe skorce të periudhave të ndryshme të Tiranës, duke alternuar me peisazhe të kodrinave me peisazhe historike. Jam munduar që të jap një pikturë me dritë, ekspansive, ekspresioniste dhe njëkohësisht të jetë dhe e pëlqyeshme dhe nga shikuesit dhe artdashësit" theksoi piktori Ilir Çakalli.
Ndërkohë aktivitetet e ndryshme në kuadër të 400-vjetorit të themelimit të Tiranës kryeqytet, do të vijojnë më tej me të tjera ekspozita.