Ruzhin: Takimi në Nju Jork, nën ndikimin e krizës ukrainase

2015-08-22 2

Teksa në Nju Jork po zhvillohet raundi i ri i bisedimeve rreth çështjes së emrit, ekspertët hedhin dyshimet rreth një epilogu të mundshëm pozitiv. Nano Ruzhin, ish ambasadori i Maqedonisë në NATO vlerëson se autoritetet në Shkup dhe Athinë nuk janë të gatshme të paguajnë koston e zgjidhjes së emrit. Madje sipas Ruzhinit, bisedimet e sotme më shumë se vullnetare janë të imponuara nga kriza në Ukrainë.

"Duke i njohur dy personalitet, Gruevskin dhe Samarasin, aspak nuk pres që në këtë moment të gjendet zgjidhje. Këto bisedime më shumë do shfrytëzohen për t'u arsyetuar se ja, po mbahet gjallë kontakti i ndërsjellë, se po bëjmë dialog, por në fund pa marrëveshje. Prandaj mendoj se këto bisedime zhvillohen nën ndikimin e krizës aktuale në Ukrainë e cila reflekton reagime të caktuara në opinion amerikan, se Maqedonia duhet të anëtarësohet në NATO dhe të zgjidhet çështja e emrit..nga ana tjetër mund të jetë arsyetim i mirë për Maqedoninë se nuk mund të merremi vesh por pranojmë të pranohemi në NATO edhe nën referencën IRJM", tha Nano Ruzhin, ish ambasador i Maqedonisë në NATO.

Edhe pse rrethanat nga Samiti i Bukureshtit të vitit 2008 janë ndryshuar dukshëm, Greqia nuk gëzon mbështetjen e aleatëve perëndimorë, por as Maqedonia mbështetjen e fuqishme të Bushit, Ruzhin megjithatë vlerëson se sa më shumë të thellohet kriza në Ukrainë, aq më të mëdha janë shanset që Maqedonia në vjeshtë, në Kardif të Britanisë, të marrë ftesën për anëtarësim në NATO. Madje Ruzhin nuk përjashton edhe realizimin e skenarit të përfolur së fundmi që Maqedonia të anëtarësohet në NATO me referencën IRJM, ndërkaq çështja e emrit të zgjidhet teksa do të zhvillohet procesi i ratifikimit në parlamentet respektive, duke qenë se Greqia do të mbetet e fundit të bëjë një gjë të tillë.

"Rrethanë lehtësuese është se opsioni i tillë është i mundur dhe ne do anëtarësoheshim me referencën IRJM. Ndërkaq, është frustruese për Maqedoninë që të hyjë edhe në një organizatë ndërkombëtare nën referencë. Por nuk e dimë as çfarë do të ndodh në skenën politike në Greqi, cilat forca do vijnë në pushtet, a do jenë akoma më djathtiste të cilat do shmangnin çfarëdo dialogu rreth kësaj çështjeje", u shpreh Nano Ruzhin, ish ambasador i Maqedonisë në NATO.

Takimin e sotëm, Nimic e pati paralajmëruar gjatë raundit të bisedimeve me negociatorët Jolevski dhe Vasilakis në muajin mars në Nju Jork, të cilat sikurse shumë raunde të tjera rezultuan të dështuara. Semra Jakupi