Shkëmbimi tregtar mes Maqedonisë dhe Kosovës vazhdon të bjerë në mënyrë drastike. Vetëm në 3 muajt e parë të këtij viti në raport me vitin e kaluar, eksporti në Kosovë ka pësuar rënie prej 21%. Ndërkohë, shkëmbimi 1 vjeçar, ai i 2013-ës krahasuar me 2012-ën, regjistron rënie prej 38,9%. Shifrtat kanë vënë në alarm dy shtetet, por odat Ekonomike thonë se fajin duhet ta mbajë politika, e cila nuk angazhohet për heqjen e barrierave burokratike tregtare.
"Hapi i parë është që sa më shpejtë të eliminohen procedurat burokratike në kufi sepse nuk udhëtohet nga Prishtina në Shkup, për 4 orë. E dyta, është koha që të mësojmë nga Evropa për menaxhim të integruar të kufirit. E treta është investime në infrastrukture pasi pa investime në infrastrukturë nuk mund të ketë bashkëpunim ekonomik", deklaroi Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës ekonomikë të Kosovës.
"Humbjen që kemi në shkëmbimin tregtar, që më së shumti i detyrohet ndaljes së eksportimit të derivateve të naftës nga firma "Okta". Sipas analizave tona kemi rënie edhe në disa sektore të tjera si industria metalike dhe ushqimore për çka do të insistojmë që këto anomali të hiqen me stimulim dhe përmirësim të bashkëpunimit", u shpreh Branko Azeski, kryetar i Odës ekonomike të Maqedonisë.
"Sigurisht që bizneset janë ato që mundohen të bëjnë maksimumin e tyre, por kjo ndodh vetëm falë angazhimit të tyre dhe jo shpeshherë është përcjellë me vullnetin e mirë të të dy qeverive për tejkalimin e barrierave që moti është aluduar", tha Menderes Kuçi, kryetar i OEMVP.
Rënien më të madhe nga sektorët e industrisë, e kanë shënuar derivatet e naftës, për -64,7%. Odat Ekonomike të Maqedonisë dhe Kosovës sot nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi sipas të cilës të dy shtetet do të kenë nga një përfaqësues në shtetin fqinjë, me misionin e përmirësimit të informimit dhe promovimit të produkteve të të dy shteteve. Ferikan Iljazi