Tirane- Gjatë prezantimit të strategjisë së menaxhimit të kufinjve për vitet 2014-2020, kryeministri Edi Rama, është treguar kritik me mënyrën se si është bërë deri tani.
Numri një i qeverisë ka dhënë sigurinë që kufinjtë e Shqipërisë do të jenë të sigurtë dhe e gjithë kjo falë një pune të bashkërenduar të 17 institucioneve, ku në të njëjtën kohë do ti jepet fund abuzimeve të autoriteteve që i menaxhojnë ato.
"Praktikisht, kufiri është sot një sfidë për t'u kapërcyer, duke e transformuar nga një kufi që ekziston më shumë për qytetarët dhe për sipërmarrësit, sesa për abuzuesit dhe për kriminelët, në një hapësirë garancish për qytetarët dhe për sipërmarrësit, dhe në një vijë të pakapërcyeshme për abuzuesit dhe për kriminelët. E, rezultatet shumë të dobëta në menaxhimin e kufirit deri dje kanë qenë të lidhura jo vetëm me mosfunksionimin e marrëdhënieve të institucioneve me njëra - tjetrën dhe me mosfunksionimin e këtij raporti bazë, që e bën kufirin një hapësirë mundësish për qytetarin dhe për sipërmarrësin dhe një vijë të pakapërcyeshme për abuzuesin dhe për kriminelin, por edhe nuk kanë funksionuar marrëdhëniet me partnerët në menaxhimin e kufirit.Ne jemi dëshmitarë të një zhgënjimi të stërzgjatur në kohë, sidomos të partnerëve tanë më të afërt me të cilët ndajmë kufijtë. Jemi, po ashtu, dëshmitarë të rezultateve të prekshme të rivendosjes së lidhjeve të humbura për shkak të zhgënjimeve të njëpasnjëshme që kishin të bënin me nxjerrjen e gjithë informacionit, tradhëtimin e operacioneve të rëndësishme nga brenda për kapjen e kriminelëve apo të trafikantëve dhe mbi të gjitha, korruptimin e kupolës së Policisë së Shtetit. Sot, kemi shumë më tepër arritje të përbashkëta me partnerët me të cilët ndajmë kufirin, pikërisht, sepse kemi filluar të rivendosim ato marrëdhënie që për një periudhë relativisht të gjatë, në vitet e fundit, ishin kthyer në inekzistente, në radhë të parë, në shkëmbimin e informacionit. Besoj që kjo strategji na krijon kushtet për të shkuar tani më tutje dhe për të kaluar nga një marrëdhënie e qëllimeve të mira dhe e dëshirës së mirë, në një marrëdhënie të stabilizuar, institucionale dhe sistematike mes institucioneve në Shqipëri dhe mes Shqipërisë edhe vendeve partnere, me të cilët ne ndajmë kufijtë"tha Kryeministri.