A1 Report - PD: Naço përballe fotos se Enverit e Majko me grushtin lart, provokim!

2015-08-22 3

TIRANE -- Partia Demokratike ka reaguar për foton ku shfaqet ministri Naço që nderon para memorialit të Dëshmorëve në Berat ku ndodhej edhe fotoja e Enver Hoxhës, si dhe për nderimin e Pandeli Majko me grusht te Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë . Zëdhënësja Laura Vorpsi, tha se PD dënon mazhorancën për përpjekjet për të rehabilituar figurën e diktatorit Hoxha.

"Mazhoranca ngriti dje grushtet lart dhe u përul para fotos së Enverit, duke kryer një akt të përsëritur, pervers dhe provokues ndaj shoqërisë shqiptare"- u shpreh zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi.

Ritet e djeshme, që sipas PD, shprehin adhurimin e dyshes Rama-Meta ndaj diktatorit, "janë një sjellje armiqësore ndaj popullit, ndaj ndërgjegjes së kombit".

"Nderimi i figurës së Enverit dhe simboleve të tij, janë një fyerje dhe përbaltje e kujtimit të dhjetëra mijë shqiptarëve të persekutuar, të internuar, të burgosur të dënuar me vdekje, të pushkatuar pa gjyq", - tha Vorpsi. Zëdhënësja Vorpsi u shpreh se PD i kërkon dyshes Rama-Meta të heqë dorë një herë e përgjithmonë nga provokimi i qytetarëve shqiptarë me kujtimet më të këqija të së kaluarës, me plagën më të dhimbshme të shoqërisë sonë.

"Mazhoranca e majtë, Rama dhe Meta, le ta mbajnë idhujtarinë e tyre për Enverin në dhomën e gjumit, dhe mos të guxojnë ta bëjnë pjesë të protokollit dhe të skenës publike, vetëm e vetëm pse aktualisht qeverisin vendin. Koha e lavdisë ikën, dhe ikën shumë shpejt kur populli preket aty nuk duhet"-përfundoi zëdfhënësja Laura Vorpsi.

Free Traffic Exchange