Gjirokastër - Trafikimi lëndëve narkotike në jug të vendit po merr përmasa gjigande, ndërkohë që në qendër të vëmendjes ngelet gjithmonë Gjirokastra dhe droga që del nga fshati Lazarat.
30 kilogramë të tjera janë sekuestruar nga policia e këtij qyteti, ndërkohë që uniformat blu kanë bërë të mundur arrestimin e transportuesit të saj, 61-vjeçarin nga Mirdita, Ndue Marku.
Nga informacionet mësohet se lënda narkotike ishte fshehur poshtë sediles së pasme të automjetit që drejtohej nga 61-vjeçari Marku, i cili kishte krijuar një dhomë artificiale, posaçërisht për fshehjen e lëndës narkotike.
Bllokimi i drogës u realizua falë kontrollit policor të kryer pranë zonës së Ujit të ftohtë në aksin Gjirokastër-Tepelenë. Sasia e lëndës narkotike ishte e ndarë në 23 pako dhe mësohet se transportuesi i saj ka deklaruar se ajo ishte siguruar në fshatin Lazarat dhe do të transportohej drejt Tiranës.
Vetëm një ditë më parë, nga agjentët e antidrogës, falë operacionit të koduar "udin", i zhvilluar në komunën e Zagorisë, u bë e mundur sekuestrimi i gjysëm ton marijuanë, ndërsa në pranga u vendosën dy persona si dhe disa të tjerë tashmë të identifikuar nga policia si pjesë e këtij rrjeti trafikimi, janë shpallur në kërkim dhe policia po punon për kapjen e tyre.