Shërbimi Social strehë sekrete për dy vëlllezërit e braktisur

2015-08-22 1

Elbasan- Shërbimi Social në Elbasan ka marrë në mbrojtje dy vëllezërit e mitur Neziri, 12 dhe 14 vjeç, të cilët pasi ishin larguar për ti shpëtuar dhunës së prindërve jetonin prej kohësh në një kontenier të vjetër.

Pas transmetimit të kronikës në Ora News ka ardhur dhe reagimi i Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, e cila tha se do ta shikojë me përparësi këtë rast.

Marsida Haxhiu, Drejtoresha rajonale e Shërbimit Social në këtë qark bën me dije se dy vëllezërit janë transferuar në një qëndër rezidenciale, ndërsa është dhënë dhe një urdhër mbrojtje nga ana e komisariatit të policisë.

Dy vëllezërit kishin ardhur bashkë me të ëmën nga Puka për ti shpëtuar dhunës së të atit dhe ishin vendosur në Elbasan. Por edhe këtu jeta e tyre po përsëritej, pasi e ëma filloi ti dhunonte duke i detyryar ata të largoheshin dhe të jetonin në mes të katër rrugëve.