Për herë të parë zyrtarisht mbi zgjedhjet në Maqedoni është prononcuar një funksionar i lartë i Shqipërisë. Kryediplomati shqiptar Ditmir Bushati në një intervistë për Zërin e Amerikës ka deklaruar se shqiptarët janë popull shtet formues në Maqedoni dhe se nuk mund të imagjinonte dhe besonte se dikush mund të mendoj të qeverisë me këtë shtet pa pjesëmarrjen e shqiptarëve.
"Nuk do të doja kurrë të besoja që dikush do të mund të mendonte se mund të qeveriste Maqedoninë pa pjesëmarrjen solide e kontributin e qartë të faktorit politik shqiptar, sepse më shumë se zgjidhja e çështjes së emrit të Maqedonisë, apo mosmarrëveshjet dypalëshe që Maqedonia mund të ketë me shtete të ndryshme në rajon, është i rëndësishëm stabiliteti dhe ankorimi i saj në rrjedhat euro-atlantike, i cili do të vijë vetëm përmes një bashkëpunimi jashtëzakonisht të qartë dhe respektimit në frymë dhe në germë të Marrëveshjes së Ohrit", deklaroi Ditmir Bushati, Ministër i jashtëm i Shqipërisë.
Bushati i ka bërë thirrje faktorit politik shqiptarë në Maqedoni se duhet të nxjerrë mësime nga zgjedhjet e fundit. Ai në intervistën për Zërin e Amerikës ka theksuar se është në kontakt permanent me faktorin politik shqiptarë por edhe atë maqedonas.
"Gjithmonë kam bërë thirrje duke nxitur një kohezion më të madh mes faktorit politik shqiptar, si për sa i përket zgjedhjeve presidenciale ashtu dhe atyre parlamentare. Është e rëndësishme të theksohet së e ardhmja e Maqedonisë, stabiliteti i saj demokratik, projektimi i saj në rajon dhe ankorimi në rrjedhat euro-atlantike do të varen shumë nga mënyra se si zbatohet Marrëveshja e Ohrit. Kjo marrëveshje është themeli për modernizimin e shtetit maqedonas dhe ky modernizim nuk mund të konceptohet pa një bashkëpunim të qartë ndërmjet dy komuniteteve kryesore shtet-formuese në Maqedoni. Uroj që nga këto zgjedhje të ketë nxjerrë mësimet e duhura faktori politik shqiptar", tha Ditmir Bushati, Ministër i jashtëm i Shqipërisë.
Këto komente Bushati i ka bërë një intervistë për Zërin e Amerikës, ku përveç zhvillimeve në Maqedoni ka komentuar edhe situatën në Kosovë dhe Ukrainë. Bedri Rexhallari