Bisedimet për Qeverinë vazhdojnë nesër, palët diskrete

2015-08-22 0

Kanë pushuar sot grupet e punës të BDI-së dhe VMRO-së që udhëheqin negociatat për formimin e Qeverisë së re. Dita e dëshmorëve dhe përfshirja e funksionarëve të BDI-së në aktivitete të ndryshme për të shënuar 5 majin ka qenë arsyeja e pauzës, që do të shfrytëzohet gjithashtu për shqyrtim brenda partive të asaj që është biseduar dy ditët e para.

Të dyja partitë vazhdojnë të jenë shumë diskrete sa i përket rrjedhës së bisedimeve. Ajo që thuhet është se në këtë fazë do të thuren vetëm kornizat e marrëveshjes së re. BDI-ja nuk dëshiron të bëjë publike as kërkesat e shtruara në tavolinë, por gjykuar sipas premtimeve me të cilat fitoi zgjedhjet, kjo parti do të këmbëngul në marrjen e kryetarit të kuvendit dhe zhbllokimin e procesit euro-integrues. Në pako me kryetarin e kuvendit pritet të jetë edhe kërkesa për ndryshimin e rregullores së parlamentit, me qëllim që Kryetari i ardhshëm, nëse zgjidhet shqiptarë, të udhëheqë seancat në gjuhën shqipe.

Do të atakohen edhe postet financiare dhe ekonomike, me theks te zv/kryeministri për çështje ekonomike, që udhëhiqej nga Vlladimir Peshevski, dhe Drejtorinë e të Hyrave Publike, që gjithashtu tradicionalisht udhëhiqej nga kuadër maqedonas. Por të gjithë këto kërkesa, bashkë me ndarjen e posteve të tjera, do të jenë temë në një fazë të mëvonshme, më të pjekur të bisedimeve. Benjamin Arifi