Analistët: BDI të mbrojë kërkesat, pavarësisht obstruksioneve

2015-08-22 1

Flirtet politike mes VMRO-së dhe PDSH-së nuk janë gjë tjetër veç tentim i tejdukshëm për të ulur kërkesat e BDI-së në bisedimet për Qeverinë. Kjo sipas analistëve është pasojë edhe e bojkotit të LSDM-së, që fut VMRO-në në situatë të miratojë doemos kërkesat e BDI-së, për të shmangur thellimin e mëtejshëm të krizës. E vetëdijshme për këtë situatë, sipas analistit Ismet Ramadani, VMRO-ja po përdorë PDSH-në dhe kërcënimet për përfshirjen e saj në Qeveri, për të ulur sa do pak, kërkesat e BDI-së.

"Bëhet një lojë e cila nuk është e hijshme për politikën shqiptare. PDSH, në këtë rast lideri i saj, bën disa akrobacione deklarative sikur sot nesër hyn në Qeveri, por ajo nuk merret serioze për faktin se qytetarët vetë kanë përcaktuar pjesëmarrësin në Qeverinë e Gruevskit. Këtu vetëm duhet pasur kujdes që të dy partitë politike duhet sa më herët dhe sa më shpejtë ta kuptojnë lojën e Gruevskit, sepse ajo bëhet sigurisht për të ulur pazarin e marrëveshjes për konstituimin e koalicionit qeveritar", u shpreh Ismet Ramadani, analist.

Analisti Mersim Maksuti shprehet se barra e përgjegjësisë së BDI-së është e madhe pas fitores bindëse, dhe partia e Ahmetit nuk guxon të shkelë premtimet me të cilat fitoi këtë përkrahje.

"Oponenti politik shqiptar, pra PDSH-ja, bën një zhurmë të panevojshme, gjë që dëmton procesin e shqiptarëve. Por BDI, për shkak të besimit që ka marrë, e ka barrën dhe përgjegjësinë kombëtare të çojë kërkesat e shqiptarëve deri në fund, sepse pikërisht në bazë të kërkesave të cilat i kemi ende të parealizuara deri në fund, duhet të ecet përpara dhe ky subjekt ka përgjegjësinë që ta çojë deri në fund. Pa marrë parasysh të gjitha pazareve të tjera politike, të cilat bëhen me ose pa qëllim që të dëmtohet çështja shqiptare, ky subjekt duhet të jetë stoik deri në fund", deklaroi Mersim Maksuti, analist.

Ramadani dhe Maksuti shprehen të sigurt se nëse BDI-ja është e vendosur do të prishë planet e VMRO-së dhe PDSH-së për të minimizuar realizimin e kërkesave kombëtare. Gjatë periudhës parazgjedhore, BDI-ja rrihte gjoks se do të bëjë çmos që një nga 3 postet kyçe në vend, kryeministri, presidenti ose kryetari i parlamentit tu takojë shqiptarëve. Benjamin Arifi

Free Traffic Exchange