Flakët e zjarrit kanë shkrumbuar tërësisht një banesë në qytetin e Fierit ku për fat të mirë nuk është raportuar për të plagosur apo dëme në njerëz.Banesa e ndodhur në lagjen "Kongresi i Përmetit" është në pronësi të Thoma Gogës, i cili prej kohësh ndodhet në emigracion.
Menjëherë porsa është dhënë alarmi nga banorët e zonës, në vendgjarje kanë mbëritur 3 automjete të repartit zjarrëfikës, ku fillimisht është punuar për lokalizimin e vatrës së zjarrit dhe mbajtjen e tij nën kontroll, duke evituar rrezikun për banesat përreth.
Gjuhët e zjarrit kanë përpirë brenda pak minutave të gjitha orenditë shtëpiake duke mos lënë asgjë pas. Policia e mbëritur në vendgjarje ka nisur hetimet për këtë çështje, ku fillimisht u deklarua se zjarri është shkaktuar si pasojë e një shkëndije elektrike.
Megjithatë kjo pistë duket se ka rënë poshtë vetëm pak minuta më vonë pasi specialistët por edhe efektivë të repartit zjarrëfikës kanë konstatuar se limitatorët pranë kutisë shpërndarëse të energjisë elektrike kanë qenë të ulur dhe mundësia se zjarri ka qenë i qëllimshëm mbetet një tjetër pistë për tu hetuar.