Partia Demokratike denoncoi edhe sot emërimet në postet zyrtare. Zëdhënësja Laura Vorpsi, i kërkoi kryeministri Rama të bëjë transparenc ë për drejtorin e Ujësjellësit të Patosit, i cili sipas saj për shkak të problemeve me drejtësinë greke, ka ndryshuar emrin. "Emërimet e dyshimta dhe kriminale të Edi Ramës në postet e rëndësishme publike, po arrijnë rekorde të reja. Sot, ne po i drejtojmë disa pyetje Kryeministrit, në lidhje me meritokracinë, shanset e barabarta dhe asaj që kjo qeveri e ka si filozofi; ti gjejmë njeriut, punën. z.Rama cili është kriteri i ndjekur në emërimin e Drejtorit të Ujësjellësit të Patosit? z.Rama, pse drejtori i Ujësjellësit të Patosit, ka ndryshuar emrin? Ne jemi në pritje të përgjigjes, për të kuptuar realitetin e punësimeve të Edi Ramës. Për të kuptuar etikën e qeverisjes, meritokracinë dhe rilindjen e ujësjellësit.", ka thënë në konferencën për shtyp, Vorpsi. Duke i cilësuar si emërime kriminale, Partia Demokratike pret një përgjigje nga kryeministri në lidhje me këtë ngjarje dhe me emërimet e tjera të bëra prej tij.