Familja katër anëtarësh Sabedini nga Haraçina ka nisur të mbledh gjërat personale dhe të braktisë shtëpinë, e cila asnjëherë nuk ka qenë pronë e tyre, por iu shërbeu si strehë për 8 vjet me radhë. Zonja e shtëpisë Resmije Sabedini thotë se nuk dëshiron të mendojë për momentin e shpërnguljes për shkak se siç thotë ajo, vendmbërritja e radhës është një nga rrugët e qytetit dhe ngritja e një dhome me plastmase.
"Tash prapë ka ardhur minuta me dalë prej këtu se është e huaja. Në rrugë do të mbetemi, nuk kemi ku, mbase nuk ka familja nuk ka askush, nuk besoj që dikush të na pranon brenda. Duhet me ndej diku në ndonjë qosh me ndreq me najlon, mi strehua dy fëmijët, ata janë të vegjël nuk po kuptojnë, po i kërkojnë të gjitha kushtet..Çka të kenë mundësi, nuk po e zgjedhim se çka, për të gjitha jemi, ne nuk kemi asgjë, qoftë të holla ose material. Kush na ndihmon ishalla Zoti I jep gjithmonë po edhe ai që nuk ka ishalla Zoti i jep", u shpreh Resmije Sabedini, nënë.
Kryefamiljari Sefedin Sabedini shprehet i shqetësuar për të ardhmen familjes së tij. Ai thotë se shpresa e fundit mbetet te Komuna e Haraçinës, e cila i ka premtuar se do t'i ndajë një copë toke për ndërtimin e një shtëpie.
"Po, nëse bëhet aty, atëherë nëse mundet dikush material me na sjell mirë do të ishte bërë, vetëm dy dhoma ti ndërtojmë më shumë nuk më duhet, ta di se është e imja, në shtëpi të huaj nuk mund të gëzojë asgjë. Gjithë dimrin, shumë ftoftë ka qenë, po çka me bo, edhe zjarrin e kemi ndez po shumë ftoftë ka qenë, janë mërdhi edhe fëmijët. Nuk kishte më keq se me të mbet mbet fëmijët pa kurrgjë, po ishalla Zoti na ndihmon. Kur dal me kërkue punë pres disa orë dhe kthehem se nuk ka, shumë keq është se fëmijët po të lypin, nuk të pyesin a ki ose nuk ke", u shpreh Sefedin Sabedini, kryefamiljar.
Edhe pse është e huaj, fati ka dashur që në këtë shtëpi të lindin dhe rriten vëlla e motër, Vildanja 7 vjeçare dhe Mirvani 5 vjeç. Të mërzitur për momentin e shpërnguljes ata shfrytëzojnë çdo çast për të luajtur, duke harruar hallin e vërtetë.
Melihate Rustemi
Gjithë ata që mund të ndihmojnë këtë familje mund të kontaktojnë në numrin e telefonit:
+389 70 435 207 Sefedin Sabedini
Xhll: 210501676107669
Nlb TUTUNSKA BANKA Shkup