A1 Report - Udhezuesi i PD, anetaret te tregojne votat e familjes

2015-08-22 1

TIRANE - Partia Demokratike nisi dje procesin spastrimeve të listës së anëtarësisë. Në një udhëzim të posaçëm të lëshuar nga Lulzim Basha përcaktohet se koordinatorët e PD-së për procesin reformues të degës së partisë në kryeqytet brenda ditës së nesërme duhet të paraqesin tek selia qendrore listën e anëtarëve që kanë votuar Partinë Demokratike si edhe personat që kanë tradhtuar partinë. Në një udhëzim të përbërë nga 17 pika përcaktohet qartë se i gjithë procesi reformues të PD-së në kryeqytet do të bëhet për të pastruar listat nga tradhtarët dhe më pas do të fillohet me prurjet e reja në mënyrë që zëvendësohet numri i anëtarëve të larguar.

Udhëzimi
Në udhëzimin e lëshuar nga Lulzim Basha përcaktohen kriteret e punës së koordinatorëve nëpër çdo grupseksion të PD-së. Konkretisht është përcaktuar se për çdo njësi bashkiake të Tiranës të ketë 4 delegat nga partia që do të udhëheqin procesin dhe nga një delegat tjetër për çdo njësi vendore që plotëson rrethin e Tiranës. Kësisoj numri i personave që do të drejtojnë procesin e riorganizimit të PD-së në kryeqytet shkon në rreth 60. Në udhëzim është përcaktuar se të 60 delegatët brenda ditës së nesërme të dorëzojnë në parti listat e anëtarësisë si edhe të ftojnë për tu rianëtarësuar të gjithë personat që kanë treguar besnikëri ndaj PD-së. "Brenda dy ditëve nga dalja e këtij udhëzimi çdo grupseksion të depozitojë në Selinë Qendrore të PD-së një kopje të listës të votuesve potencialë të PD, identifikuar në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Çdo votues potencial i PD-së i identifikuar në zgjedhjet e fundit parlamentare të ftohet për tu anëtarësuar në PD. Secili votues të njoftohet për procesin përmes letrës ftuese të Kryetarit të PDSH-së. Për mbarëvajtjen e procesit, të hapen zyra regjistrimin çdo grupseksion. Në qytetin e Tiranës të hapet një zyrë për jo më shumë se 35 seksione. Brenda 7 ditëve nga fillimi i procesit, të realizohet shpërndarja e të gjitha letrave ftuese për anëtarësimet tek votuesit potencial të PD-së. Brenda 3 ditëve nga marrja e detyrës të ngarkuarit me punë pranë çdo seksioni të depozitojnë pranë koordinatorit nga Selia Qendrore e PD-së grafikun dhe personat përgjegjës për organizimin e procesit në çdo seksion të PD-së",- thuhet në udhëzimin e Bashës.

Formulari
Formulari i ri i anëtarësimeve të Partisë Demokratike duket se shkon përtej çdo të dhënë. Në të është parashikuar që një person që do të anëtarësohet në PD ose do të rianëtarësihet duhet që të jap 22 të dhëna të tij ku shumica quhen kofidenciale. Konkretisht në të kërkohet, arsimi, puna, CV, numri identifikues në kartën e identitetit, numrin e seksionit që është anëtarësuar etj. Por pika që duket se quhet më abuzivja në formularin e ri të anëtarësimeve është pika ku përcaktohet numri i votuesve brenda familjes. Pra një person që do të bëhet pjesë e PD-së duket që të plotësoj pikë e deklarimit të votave që ka në familje dhe me shumë siguri në bazë të tyre shtohet edhe rëndësia e prurjeve të reja në parti.