Gazetari Ikonomi promovon librin "Pushtimi" në UET

2015-08-22 0

Gazetari i njohur, Ilir Ikonomi promovoi librin e tij më të fundit , "Pushtimi". Nga vetë titulli libri tregon fillimet dhe gjithë rrjedhën kronologjike të historisë së pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste në prag të Luftës së Dytë Botërore, duke gjetur në të edhe pjesëza rrëfimi të shefit të misionit diplomatik amerikan në Tiranë, zotit Hugh Gladney Grant. Vetë autori i këtij libri, Ilir Ikonomi përmbledh të gjithë përmbajtjen e këtij botimi.

"Hugh Gladney Grant nisi misionin e tij diplomatik në Tiranë në vitin 1935 dhe katër vite më vonë kur Shqipëria u pushtua nga Italia, ai u gjend rastësisht si dëshmitar në këtë ngjarje. Si një njeri që donte ta dokumentonte historinë ashtu siç kishte ndodhur ai përgatiti një raport të gjatë për Departamentin Amerikan të Shtetit, edhe pse ky i fundit nuk ia kishte kërkuar.

Ai vendosi ta shkruajë këtë raport për arkivin, duke menduar se në një të ardhme shqiptarëve do t'u duhej historia objektive rreth kësaj ngjarje. Në vitin 2010 teksa po kërkoja nëpër arkiva, gjeta dy raporte të gjata që diplomati amerikan kishte bërë për këtë ngjarje. Me një gëzim të madh po prisja momentin që këto të dhëna t'ja jepja lexuesit shqiptar", u shpreh Ikonomi.

Gjatë cermonisë së promovimit të librit u ekspozuan edhe disa fotografi, historiku i të cilave ka të bëjë pikërisht me vetë shtetin shqiptar, periudhën kur ky i fundit ra nën zgjedhën e Italisë fashiste.