Gjatë javës pritet përbërja e re parlamentare

2015-08-22 0

Pas shterjes së procedurave të nevojshme për ankimim rreth procesit zgjedhor të 27 prillit, KSHZ-ja përfundimisht të hënën do të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Pas kësaj, Institucioni më i lartë zgjedhor do të fillojë me përgatitjen e certifikatave për deputetët e rinj si dhe raportin final që të martën, pritet t'i dërgohet parlamentit. Kjo i hap rrugën mbajtjes së seancës konstituive e cila edhe pse ka afat deri më 18 maj, pritet që të mbahet brenda javës që vjen për shkak të inaugurimit të presidentit Gjorge Ivanov, i cili e fillon mandatin më 12 maj. KSHZ-ja do të ftojë të mërkurën grupet parlamentare që të marrin mandatet. Kjo vlen edhe për deputetët e LSDM-së, që sipas të gjitha gjasave, nuk do të paraqiten për shkak të vendimit të organeve qendrore të kësaj partie për mospranim të rezultateve.
Ndërkaq, Gjykata Administrative ka hedhur poshtë edhe ankesat e PDSH dhe Opsionit Qytetar për Maqedoninë, si të pabaza. Ankesat e PDSH-së kishin të bënin me votimin familjar, votim në emër të dikujt tjetër apo votim në grupe, por për shumicën e tyre nuk ishin dërguar prova. Numri më i madh i vendvotimeve ku PDSH-ja kontestoi zgjedhjet, ishin të Strugës; gjithsej 20 vendvotime, Tetovës me 11, Kërçovës me 5, Likovës me 4 vendvotime dhe nga 2 vendvotime në Butel dhe Çuçer Sandevë. Opsioni qytetar për Maqedoninë ishte ankuar për komunat Bogdanci, Kavadar dhe Rosoman. BDI-ja pas hedhjes së ankesave nga ana e KSHZ-së si të pabaza, nuk e ka vazhduar ankesën në gjykatën administrative. Gjyltene Rexhallari