Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e lirisë së shtypit, ndërsa gazetarët në Maqedoni nuk kanë arsye për të shënuar atë. Kështu u shprehen në një deklaratë me shkrim nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë. Sipas SHGM-së, Gjykatat e Maqedonisë duhet të zbatojnë me përpikëri praktikën e Gjykatës Evropiane mbi liritë dhe të drejtat e njeriut. Ata kërkojnë nga Gjykata Apelit të rishqyrtojnë edhe njëherë vendimin kundër gazetarit Kezharovski, ndërsa Prokuroria publike të tërheqë akuzën për spiunazh kundër gazetarit Zoran Bozhinovski.
'Gazetarët në Maqedoni nuk kanë arsye për të festuar këtë ditë sepse liria e fjalës dhe pavarësia e mediave janë të rrezikuara seriozisht. Edhe pse Kushtetuta e Maqedonisë garanton lirinë e fjalës dhe të informimit, këto të drejta themelore të njeriut fatkeqësisht nuk mund të zbatohen. Mediat kryesore në Maqedoni janë të njëanshme dhe jo profesionale. Në vend që të informojnë publikun për realitetin shoqëror, ato janë bërë mjet propagande për strukturën qeverisëse'.
Gazetari Xhelal Neziri thekson se Maqedonia vazhdon radhitjen çdo vit, gjithnjë e më poshtë në listën e organizatave që merren me matjen e lirisë së shtypit. Sipas Nezirit, përveç lirsë së shprehjes dhe shtypit, në Maqedoni rrezikohet edhe vetë demokracia.
"Mendoj se duhet të ndryshojë qasja e qeverisë ndaj mediave. Qasja nuk duhet të jetë përkëdhelëse ndaj mediave pro qeveritare, refuzuese dhe përjashtuese ndaj mediave që kanë qasje kritike ndaj qeverisë. Qasja kritike e mediave është roli kryesor i tyre në vendet demokratike, pasi mediat janë një lloj korrektori i çdo pushteti, pamarre parasysh a bëhet fjalë për pushtet lokal, qendror apo gjyqësor apo parlamentar", tha Xhelal Neziri, Gazetar.
Ndërsa komunikologu Klime Babunksi thotë se qeveria dhe institucionet janë përgjegjëset e mungesës së lirisë së shtypit në Maqedoni, dhe se gjendja mund të ndryshohet, nëse edhe qeveria ndryshon qasje.
"Edhe raportet e organizatave ndërkombëtare, si "Freedom House" dhe "Reporterët pa kufij", por edhe reagimet e përditshme nga shoqatat vendore si SHGM-ja apo OJQ-të e ndryshme që mundohen të ndryshojnë gjendjen e mediave, përfshi këtu edhe personat profesionalë apo ekspert të angazhuar, tregojnë se patjetër duhet ndryshuar jo vetëm çështja ligjore, por qasja e qeverisë dhe përfaqësuesve të mediave. Kur kjo të ndryshohet, mund të pritet diçka tjetër nga kjo që po ndodh tani", u shpreh Klime Babunski, Komunikolog.
Maqedonia bën pjesë në grupin e shteteve pjesërisht të lira, sipas raportit të "Freedom House". Në të njëjtën kategori, Maqedonia barazohet me Tanzaninë. Adrian Kerimi