Lezhë- Forcat e Ushtrisë rrethojnë me blloqe betoni pistën e aerodromit të Gjadrit. Puna e nisur prej ditës së djeshme vazhdon edhe sot e do të vazhdojë për disa ditë me rradhë. Pista 3.5 km e gjatë, në të gjithë gjatësinë e saj po rrethohet nga barriera betoni. Barrierat janë vendosur rreth 50 metër larg njëra-tjetrës, ndërsa Forcat e Armatosura nuk kanë lejuar mediat të afrohen. Vec këtij aksioni forcat e ushtrisë po shembin edhe disa objekte te ushtrisë, që përdoreshin nga banorë të zonës së Gjadrit. Pritet që ky aksion të përfundojë ditën e martë, 6 maj. Ky aksion për të mbyllur pistën e aerodromit të Gjadrit vjen pas akuzave të Opozitës se në këtë aerodrom janë ulur avionë të Ushtrisë përmes së cilëve është bërë transport i lëndëve narkotike. Aksioni për vendosjen e barrierave të betonit po mbikqyret nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Pranë aerodromit ka edhe forca të policisë ushtarake. Më 26 prill RTV "Ora News" siguroi dëshminë e parë për avionin që është ulur në aerodromin ushtarak të Gjadrit në Lezhë më 19 mars të këtij viti. Një banor i zonës, ka pranuar të tregojë në kushtet e anonimitetit gjithçka që parë atë mëngjes në aerodrom, duke dhënë detaje për uljen e një avioni në pistën e Gjadrit.