Incidenti te panairi, të shkarkuarit denoncim në prokurori për dhunë

2015-08-22 1

Tiranë- Një ditë pas incidentit tek Panairi i Punës mes kreministrit Edi Rama dhe ministrit Erion Veliaj me të shkarkuarit nga administrata, ata kanë kallzuar në Prokurorinë e Tiranës shefin e kabinetit të Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë.

Shoqata e të Larguarve nga Puna pretendon se Alfred Nurja i ka penguar për të protestuar, madje ata pretendojnë se janë dhunuar.

"Zoti. Alfred Nurja, i cili me anë të përdorimit të pajustifikuar dhe të paligjshmëm të forcës, ka goditur në brinjë dhe duke i përdredhur dorën e majtë kryetares së Shoqatës për Mbrojtjen e të Larguarve nga Adminsitrata. Ky lloj përdorimi force dhe goditje nuk ka qenë i nxitur nga kallëzuesi apo të jetë përdorur nga një punonjës që ka në detyrë ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë mbarëvajtjes së këtij aktiviteti. Theksojmë se detyra e Drejtorit të kabinetit të Mirqënies Sociale dhe Rinisë, Alfred Nurja, nuk lidhej me veprimtarinë e përmendur më sipër, mbi ruajtjen apo sigurinë e ambientit, apo personave publike e funksionarëve të pranishëm në këtë aktivitet. Kërkojmë prej organit të akuzës fillimin e procedimit penal"tha kryetarja e Shoqatës për mbrojtjen e të larguarve nga administrate, Nertila Qafzezi.

Kallzimi është dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës dhe pritet të fillojnë verifikimet për të vërtetuar pretendimet e ngritura nga Shoqata e të Larguarve nga Puna.