A1 Report - Kapiteneria Durres mbyll hetimet per 39-vjeçarin qe ra nga trageti

2015-08-22 2

DURRES - Kapitenaria e Portit të Durrësit ka pak ditë që ka përfunduar hetimin lidhur me ngjarjen detare të datës 19 prill kur nga trageti "Bridge" i shoqërisë "Venturis Ferries" ra në det dhe u zhduk në ujrat e Adriatikut 39-vjeçari Gentian Pepa.

Ky hetim i kryer nga ekspertë të ngjarjeve detare i është dërguar Ministrit të Transporteve, Edmond Haxhinasto dhe sipas autoriteteve portuale të Durrësit ai do të bëhet transparent brenda një kohe të shkurtër.

Sipas Gazmir Tahirit, Drejtor i Përgjithshem i Drejtorisë Detare "konkluzionet e investigimit të kryer për këtë aksident janë konfidenciale dhe ato tashmë i janë derguar ministrit të Transportit Haxhinasto. Unë nuk mund të shprehem lidhur me to pasi konkluzionet do të bëhen transparente nga vetë kjo ministri".

Ndërkohe ajo që kuptohet është se ekspertët që kanë kryer investigimin e ngjarjes janë shprehur me nota pozitive lidhur me mënyrën e funksionimit të ekuipazhit të tragetit për t'i ardhur në ndihmë viktimës edhe pse mjaft prej pasagjerëve deklaruan të kundërtën ditën e ngjarjes. Kjo për vetë faktin se trageti vazhdon që të kryejë vajtje-ardhjet e tij në linjen Bari-Durrës dhe anasjelltas.

Lidhur me këtë ngjarje nga data 19 prill u ngritën dy grupe hetimore. Njëri prej kapitenerisë së portit të Durrësit dhe grupi tjetër nga ana e Prokurorisë së Rrethit të Durrësit në bashkëpunim me Policinë gjyqësore dhe policinë e këtij qarku.

Grupi i dytë hetimor ende nuk e ka përfunduar punën e tij dhe është në proces.