A1 Report - Kapet grabitësi i supermaketit ne Durres, u identifikua nga kamera

2015-08-22 1

DURRES - Pamjet filmike të kamerave të sigurisë dhe përshkrimi i kasieres kanë çuar në pranga autorin e dyshuar të grabitjes me armë të ndodhur mbrëmë në qytetin e Durrësit. Uniformat blu të qytetit bregdetar arrestuan në banesën në lagjen numër 18, 30-vjeçarin Fatmir Lukja, ndërsa iu kap dhe arma me të cilën kreu grabitjen.

Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00 të së enjtes, pranë Spitalit të Durrësit, ku 30-vjeçari me një pistoletë sportive dhe i maskuar arriti të vidhte paratë e xhiros ditore të supermarketit (20.000 lekë të reja) të ndodhur në lagjen 18.

Sipas policisë së Durrësit, Fatmir Lukjes iu gjet e sekuestrua edhe një arsenal sendesh të përdorura përgjatë grabitjes të tilla si arma e zjarrit, kapuci, veshjet që mbante gjatë grabitjes, ndërkohë që shumën e vjedhur ky shtetas dyshohet t'a ketë shpenzuar në lojëra fati.

Në kohën kur ka ndodhur grabitja aty ka qenë vetëm kasierja e cila ka dorëzuar menjëherë paratë kur është ndodhur përballë armës.

Ndërkaq, besohet se në këtë ngjarje janë të përfshirë edhe dy persona të tjerë të cilët janë në kërkim.

Free Traffic Exchange