TIRANE - Vizita e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Mirëqenies Erion Veliaj në Panairin e Punës është shoqëruar me incidente ditën e sotme. Një përfaqësi e të shkarkuarve nga puna në administratë hyri për të protestuar në ambientet e Pallatit të Kongreseve, ku zhvillohej Panairi i Punës.
Fillimisht protestuesit janë përpjekur të futen brenda ambienteve të Panairit të Punësimit, gjë që nuk është lejuar nga rojet e sigurimit.
Madje në një moment, dy gra të Shoqatës së të Larguarve nga Puna në Administratë, kanë hyrë brenda për të protestuar. Ato janë nxjerrë jashtë nga efektivët e gardës ndërsa vijoi prezantimi i Fondit të Punësimit nga ana e qeverisë.
Pasi u nxorën nga ambientet ku zhvillohej panairi, protestuesit priten kryeministrin Rama dhe ministrin Veliaj, jashtë Pallatit të Kongreseve.
Protestuesit iu drejtuan kreut të qeverisë me thirrje dhe banderola "Duam Punë".
Një grua i është afruar kryeministrit duke diskutuar për largimin e saj nga puna, ndërsa kryeministri Rama ka replikuar duke e ftuar të aplikonte për vendet vakante pune të prezantuara në Panairin e Punësimit. Të njëjtën thirrje bëri edhe ministri Veliaj, por që u kundërshtua nga protestuesit.
Ministri Veliaj, i ka kërkuar protestueses të shkojnë bashkë në panair për të gjetur një punë që paguhet 1 mijë euro, por ajo ka kundërshtuar duke thënë "Dua punën që kisha".
Ata kanë protestuar përgjatë gjithë kohës nën thirrjet dhe banderolat "Duam punë", ndërsa nuk iu lejua hyrja në ambientet e Panairit të Punës.
BISEDA E PROTESTUESES ME KRYEMINISTRIN RAMA
Gruaja: Edhe 2 vjet dilja në pension
Rama: Më vjen keq por...
Gruaja: Më vjen keq në zanatin tim kam qenë shumë.... pse më hoqën
Rama: Nuk e dyshoj fare por ja ku është 6 e 200 vende pune janë aty
Gruaja: Pse më hoqën me cfare do paguaj dritat, me çfarë do ha bukë
Gruaja: Jo nuk jam për fasone unë se jam me shkollë të lartë
Rama: Aty kërkojnë Inxhiniere Mekanike
Gruaja: isha në profilin tim, tani nuk me merr njeri mua në këtë moshë.
BISEDA E PROTESTUESES ME MINISTRIN VELIAJ
Gruaja: Ne ishim pse na hoqët?
Veliaj: Kinge, shiko ta shpjegoj un?
Gruaja: Nuk ka nevojë për kinge, se unë jam sa nëna jote, mos më fol në atë gjuhë. Tregohu më serioz se je fëmija im. Mua me 29 Mars më kanë hequr nga puna.
Veliaj: Tani je gati të fillosh punë?
Gruaja: Ku? Jam në profilin tim, jam inxhiniere mekanike, isha atje, isha mirë, pse më hoqët? Pse duhet të sillni juve të tjerët?
Veliaj: E do përgjigjen apo do të bërtasësh?
Gruaja: Jo nuk dua përgjigje fare, unë do bërtas që të më çoni në vendin e punës, por jo të më hiqni. Po ti çfarë ke bërë 8-9 vjet? Bërtite, llape dhe ti 8 vjet.
Veliaj: Në qoftë se do punë, më jep dorën dhe hajde shkojmë të gjejmë punë.
Gruaja: Unë të jap dorën ty për atë punë ordinere?
Veliaj: Jo jo punë 1 mijë euro, inxhiniere ndërtimi, 1 mijë euro punë, hajde të të çoj. E do punën hajde të të çoj.
Gruaja: Jo jo dua vendin tim të punës.
Veliaj: Hajde të të çoj tek puna, më jep dorën.
Gruaja: Po ik se ju mashtr...