A1 Report - Bregu: Papunësia ne rritje, qytetaret u dhunuan ne diten e Punes

2015-08-22 1

TIRANE- Panairin e Punës të organizuar në 30 prill deri në 2 maj, partia demokratike e ka quajtur "një tallje oligarkësh", që sipas tyre i intereson vetëm qeverisë së Ramës. Në ditën e 1 Majit, PD thotë se numri i të papunëve në vend është rritur, ndërsa shton se nga qeverisja e PS-LSI nuk është krijuar asnjë vend pune. Në një deklaratë për mediat, deputetja e PD-së, Majlinda Bregu, ka akuzuar qeverinë për largime të paligjshme nga puna në administratë, duke shtuar se sot "në ditën e punës, qytetarët janë dhunuar nga Edi Rama".

"Kujtuam se paradat e 1 majit morën fund, por shihet se kanë rilindur me panairet e "punësimit". Ky 1 maj e gjen Shqipërinë në ditën më të vështirë përsa i përket punësimit. Teksa zyrtarisht është rritur numri i të papunëve në vend, kur prej 8 muajsh qeveria udhëheq një fushatë largimesh të paligjshme nga administrata duke dëmtuar mbi 7 mijë familje, dhe ndërsa biznesi privat shkurton çdo ditë stafin për shkak të taksave të larta dhe rënies së ekonomisë, Edi Rama organizon panaire dhe flet e flet pa fund, me një retorikë që nuk hap asnjë vend të ri pune, që nuk krijon as edhe një shans për përmirësimin e jetës që qytetarëve. Sot në ditën e punës, qytetarët shqiptarë janë dhunuar sërish nga Edi Rama. U dhunuan jo vetëm gratë që u nxorën me forcën e gardës nga aktiviteti qeveritar sepse prishën humorin e shefit, por u dhunuan të gjithë të papunët nga një propagandë tallëse e fyese deri në kockë, e një kryeministri që refuzon të dëgjojë e të shohë se çfarë po ndodh në realitet", tha Bregu.

Duke u ndalur tek Panairi i Punës i organizuar në Pallatin e Kongreseve, Bregu tha se kjo është një përpjekje e qeverisë Rama për të mbuluar mosmbajtjen e premtimeve për rritjen e punësimit.

"Në realitet, çdo ditë, burra e gra, të rinj e të reja, profesionistë të fushave, po humbin vendin e punës. Në realitet mijëra të rinj të papunë kanë humbur shpresën për një vend pune. Panairi i Ramës është një penel që nuk e zbukuron dot realitetin e zymtë të keqqeverisjes dhe paaftësisë së tij. Panairi i Ramës, nuk i mbulon dot të gjitha kotësitë e kësaj qeverie. Panairi i Ramës është veçse tallje oligarkësh që ju intereson vetëm pushteti i tyre", tha Bregu.