Korçë, 2 vite nga zhdukja e 30-vjeçarit familja apelon për gjetjen e djalit

2015-08-22 4

KORÇË- 2 vjet pas zhdukjes së 30-vjeçarit Armand Abdullai familja e tij vijon të apelojë për gjetjen e djalit, ndërsa akuzon policinë se nuk ka hetuar sa duhet për zbardhjen e misterit të zhdukjes së tij.

Teksa kujton ditën e fundit me djalin e saj, nëna e Armandit Sulltana, mes lotësh bën thirrje edhe njëherë që t'i gjendet djali i saj.

Pasi ka pritur që hetimet e policisë të nxirrnin dicka në dritë dhe e zhgënjyer nga fakti se përgjatë dy viteve nuk ka marrë asnjë lajm për djalin e saj,Sulltana thotë se pista e vetme ku duhet të hetohet është ajo e personave që kanë marë para me fajde nga djali i saj.

"Dua që djali të gjendet sa më parë, të kërcënojnë personin që e kanë lënë të lirë dhe bën qejf. Dua të kapet, të tregojë se çfarë kurthi i ngriti djalit. Dua të kapet një orë e më parë", thotë nëna e djalit të zhdukur, Sulltana Abdullai

"Vetë ata persona që besohet të jenë të inkriminuar , i kanë marrë nga një herë në pyetje dhe nuk i kanë bërë apsolutisht asgjë, i kanë lëshuar. Kjo më le shumë dyshime", tregon daja i Armandit, Arturi.

Sipas familjarëve Armand Abdullai pas kthimit nga emigrimi në shtetin grek jepte para me fajde dhe kjo mund të jetë një nga shkaqet që ka cuar në zhdukjen e tij. Në 1 maj të vitit 2012 ai duhet të merete një këst të fajdes që i kishte dhënë fqinjes së tij por atë mbrëmje u zhduk pa asnjë gjurmë.