A1 Report - 1 Maji, protesta të dhunshme në Turqi, Erdogan i kishte ndaluar

2015-08-22 1

1 Maji në Truqi ishte një ditë përplasjesh mes policisë dhe demonstruesve. Forcat policore në Turqi përdorën gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë demonstruesit që kundërshtuan ndalimin e protestave në sheshin Taksim të Stambollit. Kryeministri Erdogan më herët kishte paralajmëruar popullin se s'duhej të shpresonte që të mblidhej në sheshin Taksim, vend ky i protestave antiqeveritare. Sipas agjensive të lajmeve disa demonstrues mbetën të plagosur dhe të paktën pesë prej tyre janë ndaluar.
Në Kiev mijëra ukrainas marshuan duke valëvitur flamuj dhe duke bërë thirrje për një Ukrainë të bashkuar demokratike. Ata fajësuan Moskën se po përpiqej të ndante vendin. Por në ndryshim me kryeqytetin, në Ukrainën Lindore u zhvilluan manifestime të prorusëve të organizuara nga partia komuniste ku bëhej thirrje për ndarje nga qendra.

Më shumë se 500 punonjës të fabrikave të veshjeve u mblodhën në kryeqytetin e Kamboxhas për të kërkuar rritjen e minimumit të pagës mujore në 160 dollarë si dhe lirimin nga burgu të 23 punonjësve të industrisë që janë në proces gjyqësor.

Edhe në Manila të Filipineve mijëra punëtorë dhe aktivistë mbushën rrugët e qytetit për të kërkuar rritje pagash. Punëtorë të sektorëve të ndryshëm u mblodhën jashtë derës së Pallatit Presidencial duke mbajtur pankarta dhe parulla ku i kërkonin qeverisë rritjen e minimumit të pagës ditore.

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve dhe lindi nga përpjekjet e punëtorëve për të kërkuar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës. Kjo ditë e ka origjinën tek protestat e përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më 1 maj të vitit1866.