Shkodër, 3200 banorë nuk marrin ndihmën ekonimike, peng të konflikteve politike

2015-08-22 1

4 muaj pa marrë ndihmën ekonomike dhe atë të paaftësisë, banorët e komunës Shalë vijojnë të jenë peng i konflikteve politike të këshilltarëve të forcave rivalëve politikë. Përballë kësaj situate që prej më shumë se një viti vjen duke u përsëritur, këshilltarët e djathtë nuk i janë përgjigjur thirrjes së prefektit të Shkodrës.

Kjo ka shkaktuar edhe debate, specifikisht mes prefektit Radovani dhe kryetarit të komunës Shalë, Bale Vuksani. Ky i fundit madje shkoi deri në deklarata të forta në këtë mbledhje, ndërsa kërkoi që qeveria me një vendim të posaçëm të shkrijë këshillin e komunës.

Për zhvillimin normal të mbledhjes kanë ndërhyrë me negociata edhe kryepleqtë e fshatrave, por çdo gjë ka qënë e kotë, pasi këshilltarët e djathtë sërish nuk kanë marrë pjesë.

Konfliktet politike dhe sjellja sipas dëshirës e këshilltarëve të kësaj komune, ka bërë që 3200 banorët e kësaj njësie vendore të mos marrin paratë që u takojnë prej muajsh të tërë.