Tiranë- PD ka përcjellë sot shqetësimin për kursin e gabuar ku qeveria ka futur ekonominë shqiptare. Në takimin që zhvilloi me përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, lideri i Opozitës Lulzim Basha ka theksuar se në themel të përkeqësimit të ekonomisë shqiptare qëndrojnë paaftësia, arbitrariteti, evazioni dhe korrupsioni qeveritar. Sipas liderit demokrat në vend ka rënie të mbledhjes së të ardhurave, jo vetëm krahasuar me periudhën e mëparshme, por edhe duke marrë parasysh vetë parashikimet e qeverisë. "Qeveria ka krijuar pasiguri juridike, çka ka dëmtuar biznesin dhe ka stepur investitorët ", u shpreh Basha në këto takime. Ulja e ndjeshme e mbledhjes së të ardhurave, theksoi Basha është tregues i evazionit, korrupsionit dhe rritjes së informalitetit në ekonomi. Nga ana tjetër është rritur praktika e prokurimit të drejtpërdrejtë nga ana e qeverisë, u shpreh Basha, dhe qeveria po vonon informacionin në këtë drejtim të kërkuar nga opozita në rrugë parlamentare. Duke u ndalur tek arbitrariteti, shkelja e ligjit, moszbatimi i vendimit të gjykatave, prishja e ndërtimeve me leje ose në proces legalizimi, spastrimet në administratën publike dhe emërimet e personave me precedentë apo të kaluar kriminale, Basha tha se është krijuar një klimë pasigurie e përgjithshme që ka dëmtuar rëndë ekonominë dhe biznesin dhe si rezultat ka mbyllur vende pune dhe zvogëluar shanset për punësim. Sipas Bashës në këtë situatë, ekonomia, tregu financiar, konsumatorët dhe investitorët kanë reaguar e po reagojnë keq, duke shënuar përkeqësim në cdo drejtim.