Tiranë- Rajoni duhet të transformohet në një treg të përbashkët për investime. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, e ka dhënë këtë mesazh gjatë forumit të biznesit Maqedoni-Shqipëri.
Meta bëri apel për më shumë bashkëpunim në një moment që ekonomitë ndodhen në vështirësi. Kryeparlamentari Meta theksoi rëndësinë e krijimit të një klime sa më miqësore ndaj biznesit në nivel rajonal.
"Për shkak se tregjet tona modeste dhe të fragmentuara nuk mund të bëhen një atraksion i vërtetë për investitorët e mëdhenj strategjikë në rast se nuk do të shkojmë drejt krijimit të një tregu rajonal për investimet e huaja. Duhet të çlirohemi nga madhështitë tona të dikurshme, nga megalomania jonë ballkanike se vendi ynë, në rastin tonë Shqipëria, në rastin tuaj Maqedonia, në rastin tjetër Kosova, Serbia, është vendi më interesant në botë për të investuar dhe nuk ka vend tjetër"deklaroi Meta.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, deklaroi se tashmë është edhe vullneti i aktorëve politikë që të krijohet një platformë ekonomike e përbashkët.
"Është tejet e qartë se ekziston një vullnet politik i të gjitha palëve, i të gjitha anëve, i të gjithë qeverive dhe aktorëve në rajon për ta konceptuar zhvillimin ekonomik si një platformë e përbashkët" theksoi Ahmetaj.
Ndërsa Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, u shpreh se duhet të arrihet një rakordim për shkëmbimet tregtare midis dy vendeve.
"Unë mendoj që ne kemi mundësi shumë më të mëdha për ta dyfishuar, trefishuar vëllimin e shkëmbimevbe tregëtare, nuk mund të ngelemi në shifrat që praktikisht më rezultojnë nga statistikat, mundësitë janë jashtëzakonisht të mëdha"u shpreh Panariti.
Forumi i biznesit dhe investimeve Maqedoni-Shqipëri organizohet për të dytin vit radhazi, por këtë vit duke përfshirë edhe përfaqësues nga Kosova.