Laskarcë: Digjet shtëpia, familja Saliu mbetet në mes të rrugës

2015-08-22 4

Zjarri që përfshiu shtëpinë e familjes Saliu nga fshati Llaskarcë i komunës së Sarajit ka bërë që 4 anëtarët e saj të mbeten nën qiell të hapur, në këto ditë kur reshjet e shiut janë të vazhdueshme. Kryefamiljari Hashim Saliu thotë se çdo gjë është bërë shkrumb e hi, dhe i bën apel njerëzve të ofrojnë çdolloj ndihme.

"E vjetër dhe e dëmtuar ka qenë, po tash edhe me keq kemi mbet, pa hiç. Mbanim mendjen që e kishim aty, mundoheshim ta meremetonim, të shkojmë edhe ndonjë ditë, të kalojmë deri sa të forcohemi ama nuk paska qenë kësmet. Kush ka mundësi të na ndihmojë faleminderit, kush nuk ka Zoti i dhashtë edhe atij, pasi nuk kam vet ti ndihmojë dikujt, çka do që të jetë është e pranuar për mu se nuk kam tjetër", tha Hashim Saliu, kryefamiljar.

E zonja e shtëpisë Hafije Saliu thotë se ende nuk mund ta besojë që kanë mbetur pa shtëpi. Ajo madje shton se trishtimi që kishte përjetuar në momentin e djegies së shtëpisë i ka shkaktuar probleme shëndetësore.

"Unë vrapova, djali dhe vajza ishin lart duke fjetur. Unë vetëm bërtita dhe thashë dilni shpejt se u dogj shtëpia edhe më nuk më kujtohet asgjë, më kanë dërguar për krahë andej, u bëra shumë keq dhe thash do të më digjen fëmijët. Tash jam me barna, më vjen shumë keq kur e shohë shtëpinë, kjo ishte boll e keqe po tash kemi mbet edhe më keq, në shi. Kush ka mundësi të na ndihmojë mirë është, po kush nuk mundet Zoti ju dhëntë edhe atyre se vet jemi ashtu", tha Hafije Saliu, E zonja e shtëpisë.

Shkaqet e përhapjes së zjarrit ende nuk janë të njohura ndërsa sipas fshatarëve, familja Saliu prej vitesh bënte jetë të vështirë, pa asnjë të ardhur financiare. Për momentin ata mbahen me ndihma që ofrojnë fqinjët e tyre.

Melihate Rustemi

Të interesuarit që dëshirojnë të ndihmojnë këtë familje mund të kontaktojnë në numrin e telefonit"

+389 71 948 565, Hashim Saliu, f. Llaskarcë, komuna e Sarajit

Free Traffic Exchange