LSDM-ja opozitare do i kthejë mandatet?!

2015-08-22 0

LSDM-ja nuk do i pranojë mandatet e deputetëve, të marra nga zgjedhjet e 27 prillit. Ky është vendimi i njëzëshëm i marrë në mbledhjen e mbrëmshme të Këshillit Ekzekutiv të Partisë. Rekomandimin e tillë sonte duhet ta konfirmojë edhe Këshill Qendror i LSDM-së. Këtij qëndrimi iu bashkëngjit edhe partneri i koalicionit, PRSD-ja. Lideri i saj Tito Petkovski deklaroi se ia lë parlamentin, VMRO DPMNE-së dhe BDI-së, që ta dërgojnë Maqedoninë atje ku ata duan. Por Petkovski deklaron se nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për të provuar kriminalin që bëhet në krye të VMRO DPMNE-së. Ndërsa opozita shqyrton kthimin e mandateve, lideri i partisë në pushtet Nikolla Gruevski i bëri thirrje sërish LSDM-së ta rishqyrtojë vendimin e saj.

"Vlerësoj se ky është vendim i dëmshëm për shtetin dhe për vetë partinë. Partia ende ka kohë ta rishqyrtojë vendimin e saj deri në formimin e parlamentit", tha Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Kthimi i mandateve të LSDM-së, ka nxitur komente të ndryshme edhe nga ekspertët. Profesori i të drejtës kushtetuese Savo Klimovski thotë se edhe pa opozitën, parlamenti mund të funksionojë sepse e ka shumicën.

"Parlamenti nuk ka asnjë detyrim të shpallë zgjedhje shtesë në këtë rast. Ka shumicë në parlament. Se çfarë pasojash politike do të ketë nga mungesa e opozitës në parlament, është krejt një çështje tjetër", tha Klimovski për Alsat M.

Megjithatë, Klimovski shtoi se duhet të bisedohet seriozisht për vërejtjet e bëra në raportin e OSBE-së.

Ish kryetari i KSHZ-së Aleksandar Novakovski, ndërkohë, shprehet:
"Parlamenti do mund të funksionojë, por duhet të shpallë zgjedhje për ato mandate për të cilat listat janë shterur. Por, se si do të zbatohet kjo, Ligji është i paqartë; si do të ndahen koeficientët. Nëse do kishim sistem shumice, situata do të ishte ndryshe, por duke pasur parasysh se kemi sistem proporcional, ka paqartësi si do të zbatohen zgjedhjet plotësuese", thotë Novakovski.

Novakovski shton se Parlamenti duhet t'i verifikojë mandatet e të gjithë 123 deputetëve të zgjedhur. Pastaj, nëse opozita vendos ta bojkotojë këtë institucion, deputetët e zgjedhur do të duhet të japin dorëheqje. Në një rast të tillë, pasardhësit e tyre në listë, do të duhet të deklarohet nëse e pranojnë apo jo mandatin e deputetit. Kur listat të jenë konsumuar deri në fund, do të shkohet në zgjedhje të reja për të cilat është e paqartë mënyra e zbatimit. Natasha Stojanovska

Free Traffic Exchange