Tahiri letër bashkive: Lironi hapësirat publike

2015-08-22 0

Tiranë- Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri u kërkon Kryetarëve të Bashkive kryesore në vend, të marrim masa të menjëhershme për lirimin e hapësirave publike që janë shndërruar në pikë-shitje për automjete.

Përmes një letre drejtuar 14 drejtuesve të Bashkive, ministri Tahiri kërkon që brenda 30 ditëve, te merren masat për lirimin e parkimeve publike nga mjetet që parkohen për më shumë se 15 ditë në të njëjtin vend dhe për mjetet që parkimin publik e përdorin si pikë-shitje.

"Pushtimi i hapësirave publike në anë të rrugës, duke shërbyer si vend parkimi i përhershëm i automjeteve që nuk lëvizin prej shumë kohësh apo dhe si pikë-shitje për mjetet e përdorura, po nxjerr jashtë qëllimit dhe funksionit të tyre, vetë parkimet publike si hapësira të përbashkëta, duke shkaktuar ngarkesë të pajustifikuar në trafikun urban dhe për rrjedhojë, shqetësim të shtuar për qytetarët", shkruan ministri i Punëve të Brendshme.

Z.Tahiri shton më tej në komunikimim me drejtuesit lokalë, se strukturat e Policisë së Shtetit mbeten të gatshme të bashkëpunojnë duke ofruar ndihmën e nevojshme për lirimin e hapësirave publike brenda afatit.

"Varrezat urbane të mjeteve që nuk lëvizin prej kohësh apo vitrinat publike të shitjes së makinave të përdorura, kanë zaptuar hapësirën publike të destinuar për përdorim nga qytetarët që mjetin e përdorin në mënyrë të përditshme, por njëkohësisht, kanë krijuar pasoja jo të vogla në trafikun qytetas", nënvizion z. Tahiri.

Ministri thekson se mbetet në pritje të një reagimi të shpejtë të njësive vendore, në të kundërt Policia e Shtetit do të veprojë për të liruar vend-parkimet publike dhe duke marrë masat përkatëse.

Letra u është adresuar kryetarëve të Bashkisë së Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Fierit, Korçës, Kukësit, Shkodrës, Vlorës, Sarandës, Peshkopisë, Lushnjës, Pogradecit, Lezhës dhe Kavajës.