UASHINGTON - Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry paralajmëroi Rusinë se SHBA dhe aleatët e saj do të qëndrojnë të bashkuar për të mbrojtur Ukrainën.
"Ne duhet t'ia bëjmë të qartë Kremlinit se territori i NATO-s është i padhunueshëm dhe do të mbrojmë çdo pjesë të tij." tha Kerry në një fjalim në Këshillin Atlantik në Uashington.
Kerry e quajti krizën në Ukrainë një zile alarmi për NATO-n e cila duhet të bëjë përpjekje për një aleancë të gjerë. Sekretari amerikan i Shtetit u shpreh se Rusia kishte dështuar në përmubshjen e kushteve të marrëveshjes për zbutjen e situatës. Ai shtoi se Rusia nuk kishte ndërmarrë asnjë hap për përmirësimin e krizës, përkundrazi e çoi atë në rritje që pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Ndërkohë presidenti Putin vazhdon të këmbëngulë se vendi i tij nuk ka trupa në Ukrainë. Ai paralajmëroi se sanksionet e reja të SHBA dhe BE ndaj Rusisë do të ndikonin në punën e firmave të energjisë ne Perëndim.
Moska zyrtare u shpreh se nuk kishte aspak qëllim që të pushtonte Ukrainën lindore, ku aktivistët prorusë kanë zaptuar godinat qeveritare në dhjetra qytete.