A1 Report - Itali, arrestohet e dashura e Demirajt, e ndihmoi për 2 vrasjet

2015-08-22 4

RIMINI - Policia italiane ka arrestuar Monika Sanchin, 35 vjeç, të dashurën e Dritan Demirajt, shqiptarit 29 vjeçar që vrau ish-të dashurën dhe të dashurin e saj për motive xhelozie.

E dashura e 29 vjeçarit shqiptar, Sanchi dyshohet se ka ndihmuar Demirajn në vrasjen e partnerit të ish-të dashurës së tij, Silvio Manninës më 28 shkurt. Një ditë më pas, më 1 mars Demiraj vrau edhe Lidia Nusdorfi, ish-të dashurën e tij, ndërsa trupat e viktimave u gjetën në liqenin e Santarcangelos në Rimini.

Sanchi ka dëshmuar për orë të tëra në policinë italiane, por sipas policisë provat kundër saj janë të qarta. Nga hetimet e policisë në kompjuterin e saj, janë gjetur mesazhe të shumta me natyrë seksuale mes Sanchit dhe Manninës si dhe ftesa nga ana e saj për një takim. Sipas policisë vrasja ka ndodhur pikërisht në këtë moment.

Megjithatë, roli i 35 vjeçares në vrasjen e ish-të dashurës së Demirajt dhe të dashurit të saj italian, mbetet ende i paqartë. Ndërkohë policia ka sekuestruar edhe një ditar të Sanchit si dhe një letër të saj drejtuar Demirajt në burg ku i kërkonte të tregonte të vërtetën.

Dritan Demiraj u arrestua nga policia italiane më 3 mars për vrasjen e ish-të dashurës italiane dhe të dashurit të saj po italian për motive xhelozie. Ndërkaq, po për motive xhelozie, Demiraj dyshohet se ka vrarë edhe kushëririn e tij pasi ky i fundit, rezulton i zhdukur.