TIRANË - Ulja e çmimeve të barnave nuk ka cënuar cilësinë e medikamenteve që janë në regjistruar në vendin tonë. Garancia është dhënë nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, që duke folur për punën e Qendrës Kombëtare të Barnave, ka deklaruar se kanë sekuestruar rreth 1.3 milionë euro barna nëpër farmaci për shkelje të procedurave administrative. Këto barna, pasi të jenë kryer të gjitha procedurat administrative do jenë në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë.
Gjatë një konference për punën 8 -mujore të Qendrës Kombëtare të Barnave, Ministri i Shëndetësisë, ka hedhur poshtë çdo dyshim se ulja e çmimit të barnave mund të ketë prekur cilësinë e medikamenteve që janë të regjistruar në vendin tonë.
Beqaj u ka kërkuar mjekëve që nëse kanë ndonjë dyshim për një medikament të lajmërojnë menjëherë autoritete përkatëse.
Duke folur për Qendrën Kombëtare të Barnave, ai deklaroi se e ka gjetur atë në një situatë kaotike, ku mungonin edhe pullat, por gjithçka tashmë është zgjidhur.
Përsa i përket vlerësimit dhe kryerjes së analizave fiziko-kimike të barnave, për 2013 janë analizuar vetëm 78 barna në QKKB. Ndërsa për periudhën nëntor 2013 --prill 2014 janë verifikuar 185 barna duke u bazuar në principin aktiv dhe jo në mënyrë sporadike.