Kroacia mbështet statusin, Leko: Shqipëria e meriton, BE ka nevojë për ju

2015-08-22 0

Me anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Europiannjë vit më parë Shqipëria ka fituar një aleat të rëndësishëm brenda Unionit, deklaroi sot kreu i Kuvendit, Ilir Meta, pas takimit që zhvilloi me homologun e tij kroat, Josip Leko. Ndërsa kryetari i Parlamentit të Republikës së Kroacisë tha se pret që në qershor vendi ynë të marrë statusin kandidat dhe se kjo është në interes edhe të vetë BE-së.

"Anëtarësimi i Kroacisë në Bashkimin Europian një vit më parë, është një ngjarje e madhe historike, jo vetëm për popullin kroat, por ka një domethënie kuptimplotë për të gjithë vendet e rajonit tonë, dhe padyshim edhe për Shqipërinë.Me anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Europian, Shqipëria ka fituar një aleat të rëndësishëm brenda Unionit te i cili mbështetemi në përshpejtimin e axhendës sonë europiane. Marrëdhëniet ndër parlamentare në kuadër të procesit të integrimit marrin një dimension të veçantë sepse Shqipëria e vlerëson në mënyrë të veçantë ekspertizën kroate përgjatë këtij procesi. Edhe prania e z.Leko sot në Tiranë dhe gjatë këtyre ditëve është një tregues i vëmendjes së përhershme dhe në rritje që Kroacia i kushton marrëdhënieve me Shqipërinë. Kemi rënë dakord që t'i intensifikojmë më tej shkëmbimet midis dy parlamenteve tona, si përmes grupeve reciproke të miqësisë, ashtu edhe komisioneve parlamentare" deklaroi Meta gjatë konferencës së përbashkët për mediat.

"Dhe për mendimin tonë, e theksoj që të gjitha vendet e Europës Juglindore, pra të rajonit tonë, duhet të jenë në të ardhmen anëtare të Bashkimit Europian. Shpresoj që përpjekjet tona të përbashkëta të kontribuojnë në këtë drejtim.Mbas dy javësh është edhe mbledhja në Bukuresht. Përveç politikave të Europës, ne kemi mendimin që të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë anëtare të Bashkimit Europian dhe ne duhet të luftojmë dhe të përpiqemi në këtë drejtim. Kroacia është e pikëpamjes, që jo vetëm në Tiranë, por edhe në Bruksel të përpiqet që Shqipëria në muajin qershor të jetë pra kandidate për hyrjen në Europë. Ne mendojmë që kjo nuk është vetëm interesi i Shqipërisë apo i Kroacisë, por është në interes edhe të Bashkimit Europian, që Shqipëria e meriton plotësisht që të jetë kandidate për Europën e Bashkuar" theksoi Leko.

Dy kryetarët, z. Meta dhe z. Leko, vlerësuan nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kroacisë, që sipas tyre, reflektohet dhe nga zhvillimi i dialogut politik intensiv, i shkëmbimeve gjithnjë edhe në rritje, si dhe bashkëpunimi më i ngushtë në kuadër të përshpejtimit të integrimit evropian të Shqipërisë.