Bulqizë, spitali pa specialistë, në qytetin e minatorëve mungon mjeku kirurg

2015-08-22 2

Spitali i qytetit të minatorëve, ai i Bulqizës, duhet të jetë ndër spitalet më të mira, jo vetëm në qarkun e Dibrës, por në të gjithë vendin. Në rrethin e Bulqizës janë rreth 1500 minatorë, që punojnë për industrinë krom-nxjerrëse. E megjithatë, prej vitesh në këtë spital mungon mjeku kirurg, anestezistët dhe reanimatori, të cilët janë të domosdoshëm pasi është një institucion, që ka pritshmëri të vazhdueshme për traumat.

Në këtë spital, ku mungon edhe mjeku specialist obseter-gjinekologu, paraqiten mjaft qytetarë edhe nga zonat e thella të rrethit të Bulqizës, që kufizohen me Librazhdin. Banorët e rrethit të Bulqizës kërkojnë që ta kenë shërbimin spitalor brenda rrethit të tyre në mënyrë që të mos i drejtohen Peshkopisë apo Burrelit. Sipas drejtorit të spitalit të Bulqizës, Shahin Kaja, ky shqetësim është ngritur edhe pranë Ministrisë së Shëndetësisë.

Spitali i Bulqizës ka nevojë edhe për rikonstruksion, pasi ai është në një gjendje tejet të amortizuar, si dhe paisjet ekzaminuese spitalore janë të një teknologjie jobashkëkohore.