VLORË -- Përdoruesit e drogës sa vjen e shtohen në qytetin e Vlorës. Shifrat tregojnë se janë trefishuar rastet ku të rinjtë janë bërë vartës të saj.
Moshat e reja, kryesisht nga 15 deri në 30 vjeç, janë përdoruesit më të të rregullt të drogave që nga hashashi e deri tek kokaina.
Këta të rinj gjejnë vende të braktisura, në kushte skandaloze, si banesa të pabanuara, hyrje pallatesh etj.
Me kamerën tonë hymë në një banesë të braktisur, ku dukej qartë se përdoruesit e drogave përdorin shiringat për ta injektuar.
Banorët përreth u shprehën të shqetësuar. Ata tha se "kemi parë dhe kemi degjuar lëvizje, pasi shumë të rinj vijnë këtu dhe marrin lëndën narkotike, por kemi frike t'u flasim."
Mjeku toksikolog Aldi Duda, i cili ndjek nga afër këtë fenomen, u shpreh se: "Në një periudhë të shkurtër kohe janë rritur rastet e përdoruesve të drogës, që vijnë dhe marrin mjekim në spitalin e Vlorës.
Janë rreth 157 të evidentuar që kanë kërkuar ndihmë nga ne, por janë shumë e më shumë të tjerë, përdorues të rregullt në qytetin e Vlorës.
Shkaqet që i shtyjnë të rinjtë në Vlorë dhe jo vetëm në këtë qytet të drogohen, janë papunësia, depresioni, divorcet e prindërve,etj.
Duda rrëfen se një gram heroinë kushton 8 mijë lekë të reja dhe përdoruesi që ta blejë, zakonisht e ka të pamundur; ndaj, ai duhet të vjedhë, të luajë lojëra fati ose dhe të grabisë.
Së fundi, njihet edhe një rast ku një i ri ka humbur edhe jetën nga mbidoza. Fatkeqësisht, fenomeni i përdoruesve të drogës në qytetin e Vlorës sa vjen dhe rritet.