Daniel Server, njohësi i çështjeve politike të Ballkanit, vlerëson se zgjedhjet e së dielës, i dhanë mandat vendimtar partive fituese dhe se opozita nuk mund t'i kontestojë ato vetëm për shkak se ka pësuar disfatë.
'Rezultatet tregojnë se shumica shprehu vullnetin ndaj VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Është mirë që zgjedhjet ishin solide dhe rezultati është i qartë. Të dyja partitë morën vota aq sa shpresonin të merrnin, nuk mund madje të shpresonin për një rezultat më të mirë se sa ky që fituan", është shprehur analisti amerikan Daniel Server.
Madje sipas tij, raporti i misionit vëzhgues të OSBE nuk ofron argumente që do të arsyetonin bojkotin e LSDM-së.
'LSDM-ja do të duhet të dëshmojë se ka pasur mashtrime nëse do ti kontestojnë rezultatet e votimeve. Unë nuk kam parë dëshmi të tilla. OSBE tha se zgjedhjet ishin efikase dhe të rregullta, që nuk është vlerësim i keq. Mendoj se përveç fatit që pësoi humbje, opozita duhet të dëshmojë se diçka tjetër nuk ka qenë në rregull', ka shtuar Server.
Ai është shprehur se LSDM e cila ka fituar vetëm 34 mandate nuk është korrekte të nxit krizë politike. Nga ana tjetër Brukseli akoma nuk ka bërë të ditur vlerësimin e tij rreth zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale. Zëdhënësi i komisionarit Shtefan Fyle, një ditë më parë shmangi dhe komentet mbi bojkotin e mundshëm të opozitës, me arsyetimin se do të presin vlerësimin e ODIHR për të ndërtuar qëndrimin e tyre. OSBE/ODIHR shprehu keqardhje për paralajmërimet e LSDM-së për bojkot, duke theksuar se luftën për demokraci, partitë politike duet ta zhvillojnë brenda Institucioneve. Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it pati edhe kritika për procesin e dyfishtë zgjedhor. Edhe pse procesin e votimin e vlerësoi efikas, si problematike i cilësoi mos ndarjen e aktiviteteve partiake nga ato shtetërore, mungesën e kushteve të barabarta për garë zgjedhore, lista zgjedhore jo korrekte si dhe favorizimin e partisë më të madhe në pushtet nga ana e mediave. Semra Jakupi