Pas lajmit të bërë publik nga Ora News se oficeri i policisë Xhevdet Dedja ka dhunuar një drejtues mjeti, policia ka kryer arrestimin e 46-vjeçarit.
Sipas njoftimit të policisë së Tiranës, vënia në pranga e punonjësit të policisë së komisariatit numër 1 në Tiranë është bërë mbrëmjen e djeshme, pasi rreth orës 14.30 të ditës së djeshme në rrugën dytësore Farkë - Krabë, në fshatin Dobreshë, ka ndaluar në mënyrë arbitrare automjetin betoniere, me targa TR 1065 N, duke ushtruar dhunë ndaj drejtuesit të tij.
Shoferi i dhunuar denoncoi në RTV Ora News se ishte ndaluar në mënyrë arbitrare nga oficeri i policisë dhe ishte dhunuar me shkop bejsbolli.
"Hap bagazhin zotëria, nxjerr një shkop bejsbolli e fillon dhe më qëllon. Në momentin që më kërkoi leje qarkullimi dhe patentë ishte i pirë, nga ajo unë refuzova t'ia jap, i thashë patentë leje qarkullimi ja tregova nga larg. Duke ardhur nga ndalimi që më bëri ai polici këtu në objekt, shikoj mos ishte këtu dhe ishte larguar. Më goditi në dorë, në këmbë dhe këtu në kokë me shkop bejsbolli. E mora vesh më vonë që është i plotfuqishmi i zonës këtu", tha shoferi i dhunuar.
Sipas shoferit që dëshmoi për Ora News inspektori i policisë edhe herë të tjera ka kryer veprime të tilla tej dispozitave që i jep ligji, duke ushtruar presion ndaj banorëve të zonës.