A1 Report - Rama: S'ka me vetedeklarime, do legalizohen falas te gjitha shtepite

2015-08-22 3

TIRANE - Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar sot me detaje, procesin e legalizimit të shtëpive në zonat iinformale, në një takim në Kryeministri me dhjetra qytetarë të ftuar.

Rama ka theksuar se do të jepet hipoteka për të gjitha banesat, pavarësisht se në ç'tokë janë ndërtuar, se procesi është falas; se do të jenë punonjësit e ALUIZNI-t që do të hyjnë në çdo shtëpi dhe do ta përgatisin dokumentacionin pa pagesë, se ky proces do mbyllet njëherë e mirë e paskësaj, kush do vendosë qoftë edhe një tullë pa leje, do të shkojë në burg.

Rama sqaroi në veçanti se për zonat informale, si Paskuqani apo Kamza, ku janë parashikuar plane rregulluese nga qeveria e mëparshme, më parë do të bëhet legalizimi e më vonë, do të jenë të zotët e shtëpisë që do të vendosin nëse duan që t'i përfshijë plani. "Me ato plane", - tha ai, - "qeveria e mëparshme planifikoi ta bëjë Paskuqanin - Manhatan ndërsa Kamzën - Nju Jork, mbi shtëpitë e pahipotekuara, por ne nuk do t'i lejojmë. Më parë do bëhet legalizimi."

Lidhur me ndërtimet e palegalizuara për qëllime biznesi apo dhe për shtëpitë e dyta, Kryeministri tha qartë se ato do t'i nënshtrohen ligjit pa lehtësirat e përcaktuara për ata që kanë vetëm një shtëpi për të futur kokën apo nuk kanë lekë të paguajnë energjinë elektrike. Po ashtu, edhe për shtëpinë e dytë. "Shtëpia e dytë nuk është për hall," - theksoi ai.

Më poshtë, intervista e Kryeministrit, në të cilën sqarohen shumë raste të procesit të legalizimit dhe sesi do të trajtohen ato.