Tiranë- Kreu i kuvendit Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama kanë kërkuar sot përfshirjen e Prishtinës dhe Shkupit në nisma rajonale siç është ajo vendeve të nismës Adriatiko-Joniane.
Deklarata te tyre u bënë në konferencën e organizuar në Tiranë.
"Ky është viti i 100 vjetorit të Luftës së Parë Botërore, e cila shpërtheu pikërisht në Ballkan dhe 100 vjet më pas, 2014-a është i pari vit në historinë e Ballkanit që nis e vijon pa asnjë konflikt.
Dhe në përmasën e kësaj paqeje të re, të realizuar në emër të ëndrrës së përbashkët europiane të vendeve të rajonit tonë, unë do t'i bashkëngjitesha propozimit të bërë nga kryetari i Kuvendit, për të përfshirë edhe Prishtinën dhe Shkupin në këtë nismë, pasi besoj se koha e re e paqes kërkon një kohë të re bashkëpunimi dhe ndërveprimi rajonal dhe Nisma Adriatiko-Joniane është një instrument me një potencial të madh, për t'i ndihur kësaj paqeje në funksion të zhvillimit ekonomik dhe social.
Është një nismë që synon ta kthejë detin Adriatik dhe detin Jon në një liqen të madh dhe të pasur të Europës së Bashkuar, si një instrument i pazëvendësueshëm për zgjidhje të përbashkëta për makro-rajonin." U shpreh Rama.
" Kam bindjen se kriza e paprecedent ekonomike dhe kjo periudhë anormale sfidash sociale që po përjeton Evropa vitete e fundit, na detyron të gjithëve të hartojmë politika më realiste dhe pragmatike dhe të rikonceptojmë natyrën e bashkëpunimit mes vendeve tona për të ardhmen." U shpreh Meta.
Konferenca e kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve Anëtare të Nismës Adriatiko-Joniane u zhvillua nën kujdesin e Kuvendit.
Temë e diskutimeve të tyre është "Afrimi me Bashkimin Evropian", "Promovimi i mirëqenies së qëndrueshme ekonomike dhe sociale të rajonit Adriatik dhe Jon.