Në këto zgjedhje fitoi demokracia, fituan qytetarët, fitoi Maqedonia. Me këto fjalë iu drejtua qytetarëve presidenti tashmë i zgjedhur Gjorge Ivanov menjëherë pas publikimit të rezultateve të para elektorale. Ivanov tha se edhe gjatë mandatit të dytë pesë vjeçar do të vazhdojë të përfaqësojë të gjitha komunitetet në vend pa dallim të kombësisë dhe përkatësisë fetare.
"Isha dhe do të mbetem president i të gjithë qytetarëve pavarësisht se për kë kanë votuar ata. Isha dhe do të mbetem një për të gjithë, të mbrojë interesat e përbashkëta shtetërore, interesat e çdo qytetari, interesat e Maqedonisë. Për të gjithë, për maqedonasit, shqiptarët, turqit, vllahët, serbët, romët, boshnjakët jam angazhuar dhe do të vazhdojë kështu vetëm për popullin. Gjithçka që kemi bërë për Maqedoninë e kemi arritur për qytetarët dhe bashkë me ta, dhe gjithçka që do të bëjmë për Maqedoninë do ta bëjmë në interes të të gjithë qytetarëve", tha Gjorge Ivanov, president i Maqedonisë.
Ndërkohë kandidati i opozitës për president, Stevo Pendarovski në paraqitjen e tij të parë pas zgjedhjeve të së dielës tha se falënderon 400 mijë votuesit që i dhanë besimin. Ai tha se sjellja e përfaqësuesvendërkombëtarë të akredituar në Shkup duhet të ndryshojë dhe të përqendrohet tek krerët e pushtetit aktual, të cilët sipas tij janë gjeneratorë të politikave retrograde dhe jo tek opozita.
"Gjatë muajve dhe viteve të fundit diplomatët në Shkup janë vetëm vëzhgues pasiv të proceseve retrograde politike që po ndodhin në Maqedoni. Nga dita e sotme dhe më tej, një pjesë të resurseve dhe kohës së tyre të drejtojnë kah krerët e pushtetit të deritanishëm pasi atje gjendet gjeneratori i këtyre proceseve retrograde politike, përkatësisht gjeneratori i krizës e cila praktikisht komprometoi të gjitha institucionet shtetërore në Maqedoni, kurse shumë më pak të drejtojnë këto mjete kah përfaqësuesit e opozitës, të cilët në ambient të tillë me shumë legjitimitet vendosin që të distancohen nga institucionet shtetërore plotësisht të privatizuara dhe politizuara", tha Stevo Pendarovski, kandidat për president i LSDM-së.
Kandidati i VMRO-DPMNE-së, Gjorge Ivanov në raundin e dytë grumbulloi 534 mijë e 154 vota ose 55,25%, ndërkaq kundër-kandidati i tij nga LSDM-ja grumbulloi 398 mijë e 008 vota ose 41,17%. Dy kandidatët për president kanë grumbulluar më shumë vota se sa partitë e tyre në zgjedhjet parlamentare, fakt ky që dëshmon se edhe një pjesë e shqiptarëve kanë votuar për kandidatët presidencial. Valmir Kuçi