Lideri i BDI-së Ali Ahmeti mbrëmë shpalli fitoren historike të subjektit që ai drejton. Në paraqitjen e tij para mediave dhe simpatizantëve të grumbulluar në selinë e BDI-së në Tetovë, Ahmeti tha se BDI-ja ka fituar 3:1 ndaj PDSH-së, me një dallim prej mbi 100 mijë votave. Ai theksoi edhe njëherë rendësin e anëtarësimit në NATO dhe BE si alternativat të vetme për shqiptarët e Maqedonisë dhe për mbarë rajonin.
"Kam rastin që unë të shpall..një nga fitoret më të mëdha në historinë e BDI-së. Në këto zgjedhje ka fituar mbi 150 vota të përpunuara. Oponenti ynë është nën 50 mijë...Kjo është fitore e madhe për RM-në sepse BDI-ja ka program, ka platformë, ka ofertë që ky vend të dal nga status kvo dhe të bëj hapat e duhur në drejtim të pritjes së madhe që ky vend sa më parë të anëtarësohet në NATO dhe të anëtarësohet në BE", deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Nga ana tjetër lideri i partisë më të madhe opozitare shqiptare Menduh Thaçi, ndonëse u shpreh i kënaqur nga rezultati i zgjedhjeve të djeshme, tha se do ta kontestoj rezultatin e BDI-së, meqë sipas tij afro 57 mijë vota janë marrë me dhunë dhe shantazh. Në vij të njëjtë edhe kreu i RDK-së i cili tha se nuk njeh zgjedhjet e djeshme dhe procesin e djeshëm zgjedhor e cilësoi si masakër zgjedhor.
"Rezultati është i kënaqshëm shumë i mirë për PDSH-në, ndërsa BDI-së i themi që të mos festoj kot sepse nuk e kam ndërmend tua pranoj rezultatin. Rezultat i cili vazhdon ti ngjaj Koresë Veriore. Të dashur qytetarë unë me ta nuk dëshiroj të bëj luftë civile, por rezultatin nuk ua pranoj. Këto rezultate nuk pranohen, janë përafërsisht 57 mijë vota të vjedhura, të maruna me dhunë dhe me kërcënim. Sipas gjitha gjasave PDSH-ja do9 të ketë 8-9 deputet të mjaftueshëm për të vazhdua bisedimet për të qenë në qeveri", tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
"Për RDK-në këto zgjedhje janë në tërësi jo-demokratike, jolegjitime, të papranueshme dhe ky pushtet që do të del nga këto zgjedhje për ne është i papranueshëm. Rrugëdalje e vetme nga kjo situatë mund të jetë vetëm një qeveri teknike e cila do të merr përgjegjësi që të mundëson një proces rregulla zgjedhor. Përgjegjësia konkrete për rezultatin e RDK-së më takon mua si kryetar i saj së bashku me udhëheqësin më të lartë të RDK-së", u shpreh Rufi Osmani, kryetar i RDK-së.
Partitë shqiptare në zgjedhjet e djeshme fituan 27 deputetë apo 2 më shumë se në përbërjen e kaluar parlamentare. Bedri Rexhallari