ITALI- Dritan Demiraj, 29-vjeçari shqiptar i arrestuar në Itali më 3 mars 2014 për vrasjen e ish- të dashurës së tij dhe një 30-vjeçari italian, mund të ketë vrarë edhe kushëririn e tij, i cili rezulton i zhdukur. Demiraj nuk ka pranuar ndarjen nga Lidia Nusdorfi, duke e vrarë atë dhe të dashurin e saj të ri Silvio Mannina.
Por po për motive xhelozie, Demiraj verën e kaluar ka tentuar të vrasë kushëririn e tij, pasi kishte zbuluar se ai kishte patur marrëdhënie intime me të dashurën e tij, gjatë qëndrimit për pushime në Shqipëri.
Tashmë kushëriri i Dritan Demirajt rezulton i zhdukur, ndërsa Prokuroria e Riminit po përgatit një kërkesë për ndihmë ndërkombëtare adresuar Shqipërisë, për të vërtetuar nëse ai është apo jo gjallë.
Nën hetim për vrasjen është edhe Monica Sanchi, një kamariere me të cilën Demiraj ka punuar dhe ka patur raport me të, e cila dyshohet se ka bashkëpunuar me 29-vjeçarin për kryerjen e krimit.