Ura e Tapizës drejt rrënimit, mungojnë investimet për rikonstruksionin e saj

2015-08-22 7

Laç - Ura e Tapizës, e ndodhur në aksin rrugor Fushë Krujë-Tiranë, po shkon drejt rrënimit përfundimtar të saj. Pavarësisht se është një vepër e cila për nga funksioni dhe pozicioni konsiderohet tepër e rëndësishme, infrastruktura e saj po shkatërrohet nga dita në ditë.
Si të mos mjaftojë gjendja teknike e saj në kushte aspak normale për qarkullimin e automjeteve, marrja e inerteve në rrjedhën e lumit nga persona të ndryshëm, është shoqëruar me gërryerjen e këmbëve të urës deri në 2 metër lartësi, duke shkaktuar edhe spostime të tyre. Por si të mos mjaftojnë këta faktorë edhe prita e ngritur disa kohë më parë e cila shërbente si mburojë për këmbët e urës, është shkatëruar duke e lënë këtë vepër totalisht në mëshirë të fatit.
E ndërtuar në një vend kyç, ura e Tapizës shënon një numër tepër të lartë të automjeteve të cilat qarkullojnë mbi të por që në asnjë rast siguria nuk ofrohet, për shkak të amortizimit që ka pësuar. Investimet dhe ndërhyrjet për një rikonstruksion të plotë të saj kanë munguar por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për numrin e aksidenteve të ndodhur.
Ura e Tapizës lidh kryeqytetin e vendit tonë me veriun e Shqipërisë, Kosovën e madje edhe më gjerë, por pavarësisht këtij fakti ajo po shkon drejt shkatërrimit përfundimtar të saj.