FIER - Bashkia e Fierit, prej disa vjetësh ka krijuar traditën e bukur të vlerësimit të studentëve të shkëlqyer, që nderojnë jo vetëm qytetin e tyre, por tërë Shqipërinë.
Pikërisht, për të vlerësuar më të mirët nga nxënësit e shkollave publike dhe jopublike, sot është zhvilluar një aktivitet për katër studente, që sipas kryebashkiakut Baftjar Zeqaj , i kanë rritur krenarinë e qytetit të Fierit me rezultatet e tyre.
Ato janë: Elona Dimo, vlerësuar nga Universiteti i Tiranës me Medaljen e Artë; Armela Ternova, Kristina Jorgo dhe Ornela Sulejmani, që sot ndjekin studimet e larta për mjekësi dhe inxhinjeri informatike në Gjermani.
Pas urimit dhe falenderimit të Zeqajt, fjalën e mori edhe Drejtori i Arsimit Rajonal të Fierit, Shkëlqim Allkaj.
Elona Dimo, fituesja e Medaljes së Artë, ka shprehur kënaqësinë për këtë aktivitet kushtuar jo vetëm asaj, por edhe shoqeve të tjera -studente të shkëlqyera. Ajo e ka mbyllur fjalën e saj me një shprehje të bukur: "Një pemë mund të rritet kur vazhdimisht në rrënjët e saj hidhet ushqimi i duhur." Uroj që vlerësime të kësaj natyre të vazhdojnë edhe vitet e ardhshme për studentët e Fierit."