Reforma në kulturë domosdoshmëri, Rama i përgjigjet artistëve dhe akuzave të PD-së

2015-08-22 0

Protesat e partitëve dhe akuzat e opozitës nuk kanë bindur qeverinë të tërhiqet nga reforma në institucionet e kulturës, e cila filloi me Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, për të vijuar me Teatrin e Operës dhe atë Kombëtar.

Kryeministri Edi Rama, i ka dalë në krah vendimit të marrë nga Ministria e Kulturës, duke e cilësuar refomën një domosdoshmëri, për të vlerësuar artin mbi merita, dhe për ti hapur rrugë talenteve të reja. Kryeminsitri ftoi të gjithë artistët të përqafojnë reformën.

"Ky festival është në të njëjtën kohë edhe një vullnet i shprehur kundër mediokritetit dhe mënyrave bajate të të menduarit dhe të të konceptuarit të gjërave.

Në fund të fundit ky është një mision fisnik i festivalit për tu bërë hapsirë e të gjitha alternativave. Qëllimi ynë është që të stimulojmë dhe të mbështesim sa më shumë nisma të njerëzve të lirë, të artistëve, të shkrimtarëve, të prodhuesve dhe punëtorëve të kulturës sa herë që ata dëshirojnë që të bëhen bashkë për të çelur dritare të reja.

Në këtë këndvështrim duhet parë edhe plani ynë i një reforme tërësore të artit dhe të kulturës, të institucioneve publike, të cilat duhet të jenë gjithmonë e më shumë të hapura ndaj risive dhe ndaj talenteve dhe nuk mund të jenë përveçse hapsira ku jerarkinë e vendos merita, e vendos publiku dhe asgjë e paracaktuar më parë në çfardo forme qoftë ajo, sepse , le ta themi hapur, në këtë aspekt jemi shumë mbrapa botës dhe Europës ku duam të integrohemi dhe në këtë aspekt kemi shumë për të bërë dhe mund të bëjmë shumë më tepër sepse nuk na mungon cilësia e burimeve njerëzore" u shpreh Rama.

Për të shprehur mbështetjen e qeverisë ndaj kulturës, Rama ishte i pranishëm për të dytën ditë radhzi në Festivalin e Librit dhe të Artit, ku çimimi Dani Shukria, shkoi për veprën "Never" të Armando Lulit.