KQZ e Kosovës vëzhgon zgjedhjet në Maqedoni

2015-08-22 7

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës do të mbikëqyrë procesin e nesërm zgjedhor në Maqedoni. Grupi 7 anëtarësh i Komisionit, i drejtuar nga kryetarja Valdete Daka do të vizitojë një numër të konsiderueshëm vendvotimesh, duke marrë kështu përvoja dhe sugjerime që do t'i përcjellin në vendin e tyre amë. Një eksperiencë e tillë, është cilësuar e vyeshme, në një kohë që Kosova përgatit reforma zgjedhore në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian.

"Shpresoj se dita e nesërme zgjedhore do të kalojë e qetë dhe në frymë demokratike ashtu siç ka qenë edhe raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale. Dhe shpresojmë se çdo gjë do të jetë në rregull. Nga vëzhgimet që do ti bëjmë nesër si KQZ shpresoj që të bartim përshtypjet tona dhe, të mësojmë nga përvojat e juaja", deklaroi Valdete Daka, kryetare e KQZ-së.

Nënkryetari i KSHZ-së Subhi Jakupi i inkurajoi mysafirët që të vëzhgojnë në shumë vendvotime dhe të marrin praktikat e mira nga Maqedonia.

"Biseduam për çështjet teknike dhe administrative dhe çështjet e plotësimit dhe ndryshimit të Kodit Zgjedhor këtu tek ne. Njëkohësisht na informuan se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të Kosovës është në reformat e rregullativës zgjedhore. Unë mendoj se kjo përvojë e jona do të ndikojë, apo mund të jetë si një uverturë e mirë dhe përvojë e tyre që do të kenë mundësi të na vëzhgojnë sot dhe nesër. Të mund të shfrytëzojnë rastin të mësojnë nga ne për praktikat e mira që ne bëjmë", tha Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ-së.

Këtë vit pritet që të mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë, ndonëse data e saktë ende nuk dihet. Për këtë shkak, si parakusht nga BE-ja për mbarëvajtje të procesit, janë kërkuar edhe një sërë reformash zgjedhore. Ferikan Iljazi