A1 Report - Tirane, biznesmeni u vra nga shoku, nderhyri per nje borxh

2015-08-22 7

TIRANË - Aurel Zenka, 38-vjeçari pronar i një lokali në zonën e ish Bllokut është vrarë sepse tentoi të hynte në mes të konfliktit për shkak të një borxhi të dy shokëve të tij.

Konflikti i ndodhur në mesditë por edhe disa ditë më parë kishte të bënte me një shumë të mbetur borxh mes dy shokëve të Zenkës, dhe ky i fundit ka shkuar për të shuar grindjen.

Por duket se 38-vjeçari të jetë përfshirë shumë në këtë konflikt të shokëve të tij, saqë njëra nga palët ta ndjekë dhe ta ekzekutojë pranë banesës ku ai qëndron në afërsi të rrugës "Zonja Çurre", pranë fushës Ali Demi në Tiranë.

Policia ka shpallur në kërkim tre persona, nga të cilët edhe Agron Goxhajn, si të dyshur për krimin.

Sipas policisë Goxhaj ishte personi me të cilin Zenka ishte konfrontuar fizikisht në grindjen e mesditës së të premtes, ndaj fill pas krimit uniformat blu ishin fokusuar kryesisht në kapjen e 40-vjeçarit.

Me Zenkën, mbrëmjen e të premtes ku është ndjekur dhe qëlluar me armë të tipit pistoletë ka qenë edhe një shok tjetër i tij, i cili është marrë në pyetje në lidhje me autorët e vrasjes dhe konfliktet që sollën krimin.

Burimet policore thanë se janë intensifikuar kërkimet për kapjen e të dyshuarve si autorë të vrasjes, ndërsa gjenealitetet dhe të dhënat e tyre u janë dërguar me urgjencë pikave të klaimit kufitar për të mos lejuar daljen e tyre jashtë vendit

EKZEKUTIMI ME 8 PLUMBA MBREMJEN E DJESHME
Grindja në lokal, duket se nuk është mbyllur me aq, dhe konflikti është kthyer në ekzekutim me armë në mes të rrugës. Kjo situatë dyshohet të ketë sjellë vrasjen e ndodhur rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme ku u qëllua për vdekje me 8 plumba pistolete, 38-vjeçari Aurel Zenka. Ngjarja ndodhi në rrugën në rrugën "Zonja Çurre" në lagjen Ali Demi në kryeqytet, ku 38-vjeçari është qëlluar me armë te tuneli i dytë i kësaj rruge, pas shkollës "1 Maji".

Nga hetimet paraprake mbi këtë vrasje, dyshohet që autor të jetë Agron Goxhaj, 40 vjeç, i cili mendohet që pas ekzekutimit të Aurel Zenkës të jetë larguar përmes rrugicave të lagjes.

Nga burime të komisariatit numër 1 në Tiranë mësohet se, Aurel Zenka ishte pronari i një lokali në zonën e ish-Blokut në Tiranë.

Deri më tani mendohet se shkak i vrasjes ishte një sherr në mesditë mes viktimës dhe autorit, të cilët ishin grindur në ambientet e brendshme të një lokali, teksa ende janë duke u verifikuar të gjitha rrethanat e ngjarjes.

Janë marrë në pyetje edhe dëshmitarët për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes, ndërsa policia kur shkoi në vendngjarje e gjeti pa jetë 38-vjeçarin, të shtrirë në rrugë