Bozdo-Ramës: Po u mohon të vdekurve banesën e fundit, zhblloko buxhetin

2015-08-22 1

Bashkia e Tiranës lëshoi edhe sot alarmin lidhur me mungesën e hapësirave për varre në kryeqytet. Nga varrezat e Tufinës, nënkryetari i Bashkisë, Eno Bozdo, deklaroi se nga dita e hënë shërbimi funeral i Bashkisë së qytetit për familjet që humbin të dashurit e tyre nuk do të jetë më i mundur të ofrohet. Bozdo lëshoi akuza në drejtim të Kryeministrit, që sipas tij me bllokimin e buxhetit po u mohon të vdekurve banesën e fundit.
"Jemi këtu në varrezat e Tufinës dhe në të vërtetë është vendi i fundit që do kishim zgjedhur për të biseduar me mediat por jemi të detyruar të bëjmë një gjë të tillë pasi duke filluar nga dita e hënë shërbimi funeral i Bashkisë së qytetit për familjet që humbin të dashurit e tyre nuk do të jetë më i mundur të ofrohet. Do u kërkoja të gjithë familjarëve që mes dhimbjes së tyre, t'i drejtohen zyrës së kryeministrit për të marrë një zgjidhje sepse kryeministri ynë i ka të gjitha mjetet në dorë për të zhbllokuar buxhetin e Bashkisë së Tiranës dhe të lejojë shërbimin funeral të ofrojë shërbimet për të ndjerët e familjet e tyre. Pasi kryeministri ka zgjedhur të mos lerë të qetë të gjallët, tashmë po merret edhe me mbretërinë që nuk i takon, nuk po lë në prehje edhe të vdekurit. Kjo tregon edhe njëherë tjetër që konflikti dhe lufta politike me Bashkinë e Tiranës ka tejkaluar çdo limit të fundit dhe të imagjinueshëm. Unë nuk jam këtu vetëm si nënkryetar i Bashkisë por edhe si familjar që përballem çdo ditë me kërkesat nga të njohurit, miqtë që humbin njerëzit e tyre, për të gjetur një mundësi për t'i varrosur në mënyrë dinjitoze dhe shpresoj që kryeministri të heqë "veshët" politikë dhe të vendosë dëgjimin e qytetarit i cili kërkon që mundësisht në këtë vend, pikërisht ku jemi ne por edhe për këtë çështje kaq të ndjeshme, të mos kemi luftë politike por të kemi një bashkëpunim.Shpresoj që ky mesazh të prekë sadopak zemrën e tij, sepse nuk ka ngelur gjë tjetër veçse t'i kërkojmë atij që të vërë dorën në zemër dhe t'I japë zgjidhje këtij problemi kaq të madh"deklaroi ai.